Bislimi i drejtohet BE-së: Hiqni masat ndëshkuese ndaj nesh sa më shpejt
Foto: Laura Hasani

Bislimi i drejtohet BE-së: Hiqni masat ndëshkuese ndaj nesh sa më shpejt

Aktuale November 20, 2023 - 13:07

“Sa më shpejt masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës duhet të hiqen”, ka thënë zëvendëskryeministri i parë i Kosovës për Integrime Evropiane, Besnik Bislimi, në një tryezë mes Komisionit për Integrime Evropiane, ambasadorit gjerman Jorn Rohde dhe shefit të Zyrës së BE-së, Thomas Szunyog.

Bislimi thotë se sanksionet e vendosura ndaj Kosovës – sanksione këto që erdhën si pasojë e mospërfilljes së deklaratës së 3 qershorit nga BE-ja nga Qeveria e Kosovës për të shpallur zgjedhje të parakohshme dhe për t’i larguar Lulzim Hetemin dhe Erden Atiqin nga ndërtesat komunale të instaluar me aparaturë policore – në masë kanë ndikuar edhe në Raportin e Progresit të sivjetmë, i hartuar nga Komisioni Evropian.

Bislimi madje, duke folur edhe për aplikimin (e patrajtuar) të Kosovës në Bashkimin Evropian, ka kërkuar që ajo të shqyrtohet dhe se për këtë “nuk ka nevojë për njohjen e pesëshes mosnjohëse të BE-së”.

“Për këtë status nuk ka nevojë që të njohjen nga pesë vendet mosnjohëse…Vonesat në trajtimin e aplikimit po shtojnë zërat skeptikë. Masat negative të BE-së janë ende në fuqi dhe besojmë që prezenca e këtyre masave ka ndikuar në vlerësimin që është bërë në raport. Masat që janë ende në fuqi bien ndesh me përpjekjen e rajonit për integrim në BE. Është shumë e rëndësishme që BE-ja t’i heqë sa më shpejt këto masa”, tha Bislimi.