Gashi pas paralajmërimit të Kurtit: Uroj të mos jetë tentim populist për frikësim të qytetarëve
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, e ka cilësuar si të rëndësishme vizitën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ai ka thënë se vizita e tij dërgon mesazh se NATO-ja është prezente në rajon dhe garanton siguri.
Sa u përket deklaratave të kryeministrit për riorganizimin e grupit paramilitar të Radoiçiqit në Rashkë, Gashi tha se “duhet të jemi të kujdesshëm se si deklarohemi dhe të mos krijojmë panik pa nevojë”.
“Uroj të mos jetë deklaratë e tentimit populist të frikësimit të popullatës së Kosovës në mënyrë që t’i mbajë të mobilizuar për interesa partiake e politike. Nëse do të kishte një situatë të tillë, do të ishte fatkeqësi për Kosovën”, tha Gashi.
Ai theksoi se Kurti në vazhdimësi ka tentuar të krijojë krizat në veri, në mënyrë që të ketë për çka të mburret, sepse sipas Gashit asnjë sukses nuk ka pasur gjatë këtyre tre vjetëve të qeverisjes.