Gashi: Prokuroria po tregohet selektive, po e pengon punën në rastin e Astrit Deharit
Avokati i familjes së ish-aktivistit Astrit Dehari, Tomë Gashi, tha se Prokuroria po vonohet në rastin e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, duke shtuar se ky institucion po vepron në mënyrë selektive.
Ai madje tha se Prokuroria s’po e lejon atë të kryejë punën e avokatit, pasi s’u lejua të hënën të jetë prezent gjatë intervistimit të ministres Albulena Haxhiu.
Ai ka folur edhe për mundësinë e ankesës ndaj prokurorit Afrim Shefkiu.
“Prokurori duket se i ka arsyet e veta për të cilat ne do të kërkojmë sqarime , se pas takimit me familjen e Astritit dhe të shohim a do t’i drejtohemi Këshillit Prokurorial, apo a do të ankohemi ne sepse është e patolerueshme të veprojë në mënyrë të tillë. Po i bie se Prokurori mund të ketë arsye të tjera për të cilat neve nuk na njofton, që në prizmin tim është duke i shkelur dispozitat ligjore”, ka shtuar ai para mediave.
“Prokuroria për arsye të panjohura po vepron në mënyrë selektive, sepse me dhjetëra dëshmitarë që janë marrë në pyetje në këtë ndërtesë, i ka lejuar dhe ka kërkuar të jem pjesëmarrës, ndërsa në raste të caktuara shumë të ndjeshme s’ka lejuar”.
“Rasti i Astrit Deharit është më i dhimbshmi në Kosovën e pasluftës. Prokuroria fatkeqësisht s’po lejon që ta kryejmë punën tonë si avokat, respektivisht si përfaqësues juridik të familjes së Astrit. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, do të sqarojë dhe do t’u përgjigjet pyetjeve konkrete që Prokuroria e ka autorizuar Policinë”, tha Gashi. /EO