Ambasadorët kërkojnë dinamikë në dialog, zyrtarët shtetërorë ankohen për qasjen e BE-së karshi Kosovës
Foto: Laura Hasani

Ambasadorët kërkojnë dinamikë në dialog, zyrtarët shtetërorë ankohen për qasjen e BE-së karshi Kosovës

Aktuale November 20, 2023 - 11:22

Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2022 ishte temë diskutimi ndërmjet Komisionit për Integrim Evropian me ambasadorin gjerman Jorn Rohde e shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szynog.

Aty nuk munguan as kritikat në adresë të Bashkimit Evropian.

Të pranishmit thanë se mosdhënia e Statusin Kandidat për Kosovën është e padrejtë.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, foli për mungesën e bashkëpunimit pozitë e opozitë, me ç’rast tha se si shkak i mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare Kosova i humb 400 milionë euro.

Image

Rohde i ka bërë thirrje Kosovës të bëjë edhe më tej përpjekje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë, duke shtuar se ajo ka qenë e përkushtuar “në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

Sipas tij, është e rëndësishme “që të arrihet një momentum në bisedimet me Serbinë”.

Rohde ka thënë se sfiduese për Kosovën mbetet lufta ndaj korrupsionit, reforma e administratës publike dhe sundimi i ligjit.

Image

“Gjermania i ka ofruar asistencë të madhe shtetit të Kosovës në arritjen e reformave. Kosova ka mbetur e përkushtuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, por duhet akoma përpjekje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura”, tha ai, raporton EO-ja.

Raporti për Kosovën duhet të shihet që të na kujtojë të gjithëve se cilat reforma duhet të bëhen që Kosova të avancojë në qëllimin e saj që të bëhet anëtare e BE-së. Reformat nuk duhet bërë vetëm nga Qeveria, por edhe nga Kuvendi”, ka thënë ai.

“Sot që jemi këtu dua të shpreh zhgënjimin për mungesën e bashkëpunimit me partitë politike dhe mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtarëve, ku do të jepeshin mbi 400 milionë euro. Raporti për Kosovën duhet të përdoret që të na kuptojmë të gjithëve se cilat reforma duhet të bëhen në mënyrë që Kosova të jetë pjesë anëtare e BE-së”.

Image

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se Bashkimi Evropian duhet “sa më shpejt” t’i heqë masat sanksionuese ndaj Kosovës, duke shtuar se këto kanë ndikuar në vlerësimin e Raportit të Progresit.

Ai ka se Kosova jo vetëm që s’i ka hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por as s’e ka statusin e vendit kandidat dhe s’e ka marrë pyetësorin e BE-së.

“Për këtë status nuk ka nevojë që të njohjen nga pesë vendet mosnjohëse…Vonesat në trajtimin e aplikimit po shtojnë zërat skeptikë. Masat negative të BE-së janë ende në fuqi dhe besojmë që prezenca e këtyre masave ka ndikuar në vlerësimin që është bërë në raport. Masat që janë ende në fuqi bien ndesh me përpjekjen e rajonit për integrim në BE. Është shumë e rëndësishme që BE-ja t’i heqë sa më shpejt këto masa”, tha Bislimi.

Image

Sipas zëvendëskryeministrit, Kosova ka shënuar sukses në fushën e përafrimit të tregut të brendshëm.

“Kemi rritje të të hyrave buxhetore, formalizim të suksesshëm të ekonomisë dhe vendeve të punës. Kemi ulje të ndjeshëm të nivelit të borxhit publik, kemi rritje të bizneseve të reja, kemi sektor financiar kundër krizave me të cilat ballafaqohemi, kemi përmirësim në lëvizjen e lirë të mallit shërbimit dhe kapitalit. Por ka edhe fusha ku vlerësimi i bërë në Raportin e progresit nuk është në linjë me bindjen e Qeverisë. Ka të bëjë me reformën e administratës publike”, është shprehur ai.

Image

“Raporti e adreson raportin final që qytetarët mund të lëvizin lirshëm nga 1 janari dhe mendoj që qeveria ka bërë njoftimin e nevojshëm mbi procesin e liberalizimit. Pakoja e zgjerimit thekson marrjen e statusit për Ukrainën dhe Moldavinë dhe këtë e konsiderojmë si të rëndësishme drejt përshpejtimit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe me këtë rast Kosova ende nuk e ka marrë as statusin e kandidatit. Për këtë nuk ka nevojë që të kemi njohje nga vendet mosnjohëse”.

Kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi, tha se është shumë e vështirë të kuptohet përse Bosnja meriton statusin e vendit kandidat, por jo edhe vendi ynë.

“Sidoqoftë, njëkohësisht duhet të jemi të vetëdijshëm se vendi ynë ngelet vend i fundit në procesin integrues të dhjetë vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE. Këtë muaj Komisioni Evropian propozoj nisjen e negociatave me Ukrainën, Moldavinë dhe Bosnjën. Po ashtu Komisioni rekomandoi dhënien e statusit të vendit kandidat Gjeorgjisë. Kësisoj distanca në mes Kosovës dhe nëntë vendeve të tjera vetëm po thellohet”.

Image

“Përderisa ne patjetër gëzohemi rekomandimit për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjën, për qytetarët e Kosovës është shumë e vështirë të kuptojnë se perse Bosnja meriton statusin e vendit kandidat apo edhe të hap negociatat e anëtarësimit, por jo vendi ynë. Sipas vet vlerësimit të Komisionit Evropian, Kosova është më e përgatitur për të marrë përsipër obligimet që burojnë nga anëtarësimi në BE se Bosnja. Në këtë drejtim raporti vjetor i Komisioni Evropian na ka ofruar udhërrëfyesin e qartë se ku duhet të dyfishojmë përpjekjet për avancimin e reformave Evropiane”, u shpreh Krasniqi, teksa citoi disa të gjetura nga ky Raport.

“Në reformën e administratës publike raporti nënvizon se ‘nuk është shënuar asnjë progres dhe se rekomandimet e vitit të kaluar nuk janë përmbushur në mënyrë të kënaqshme’. Në fushën e sundimit të ligjit është bërë ‘progres i kufizuar’, ndërsa në fushën e luftës kundër korrupsionit raporti evidenton se ‘korrupsioni ngelet çështje brengosëse’. Po ashtu, në kuadër të 31 kapitujve të legjislacionit të BE-së këtë vit Kosova ka pasur rekord të kapitujve të cilët janë vlerësuar me ‘progres të kufizuar’”.