Avokati i familjes Dehari s’lejohet të jetë i pranishëm gjatë intervistimit të ministres Haxhiu
Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka dëshmuar të hënën për rastin e vdekjes së aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari.
Pas intervistimit në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, ministrja Haxhiu do të mbajë konferencë për media.
Përderisa avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka bërë me dije se i është refuzuar kërkesa e tij që gjatë intervistimit të ministres të jetë i pranishëm.
Gashi e ka cilësuar prokurorinë si “selektive”.
Më 5 nëntor të vitit 2016, në orët e para të mbrëmjes, u raportua për një vdekje të një personi brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren.
Vetëm pak minuta më pas u raportua se brenda qelisë së tij ishte gjetur i vdekur ish-aktivisti i LVV-së, Astrit Dehari, i cili aty po qëndronte nën dyshimet se ka qenë një nga gjashtë personat që mori pjesë në sulmin e gushtit të po atij viti me granatahedhëse në Kuvendin e Kosovës. Deklarata e parë nga Policia e Kosovës në atë kohë ishte se Dehari kishte vdekur si pasojë e medikamenteve. Këtë deklaratë e kishte thënë ish-drejtori i Policisë së rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, i cili për një kohë të gjatë kishte mohuar se kishte dhënë këtë deklaratë.
Vdekja e Astrit Deharit menjëherë u cilësua si e dyshimtë, ndërsa u kërkua që ndaj tij të bëhej edhe autopsia nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Ish-kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, i cili tash është në pension, pesë vjet më parë kishte thënë se Astrit Dehari kishte pasur shenja në qafë. Në ditën kritike, menjëherë u njoftua edhe se Ministria e Drejtësisë në atë kohë e udhëhequr nga ish-ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha se kishin filluar hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit.
Astrit Dehari kishte vdekur në ditën e 68-të të qëndrimit të tij në paraburgim në Prizren.
LVV-ja në atë kohë tha se vdekja e Astrit Deharit ishte përgjegjësi institucionale. Dyshime rreth vdekjes së Astrit Deharit pati edhe familja e tij.
Më datë 7 nëntor të vitit 2016, u krye edhe autopsia e trupit të Astrit Deharit, ndërsa Sylë Hoxha atë kohë kishte dalë me deklaratë se ish-aktivisti i LVV-së kishte vdekur si pasojë e asfiksisë ose problemeve me frymëmarrjen.