Zyrtarja e PE-së: Koha që BE-ja t’i heqë sanksionet, e lumtur që votuam rezolutën pro Kosovës

Zyrtarja e PE-së: Koha që BE-ja t’i heqë sanksionet, e lumtur që votuam rezolutën pro Kosovës

Aktuale November 20, 2023 - 08:55
Federica Woelk: Ndërhyrja ruse në Ballkan është shtuar

“Në Ballkan është shtuar ndërhyrja ruse dhe ne mund ta shohim shumë mirë se si po e trajton Serbia këtë”, thekson Federica Woelk, eksperte për Ballkanin në Parlamentin Evropian në një intervistë të shkurtër për The Geopost.

Ajo shton se Parlamenti Evropian është i angazhuar në luftimin e dezinformimit dhe propagandës ruse në Ballkan, por, sipas saj, mund të bëjë më shumë në këtë drejtim.

Ndër të tjera, asistentja në Parlamentin Evropian, Federica Woelk, flet edhe për trajtimin që BE-ja ua bën Serbisë dhe Kosovës dhe për hapat që duhet t’i ndërmarrë në vazhdim.

Intervista e plotë:

Dy vjet pas agresionit rus në Ukrainë, si i shihni ndërhyrjet ruse në Evropë dhe veçanërisht në Ballkan?

Fatkeqësisht, mendoj se ndërhyrja është shtuar muajt e fundit, veçanërisht në Ballkan dhe ne mund ta shohim shumë mirë se si po e trajton Serbia këtë. Por edhe brenda BE-së kemi një shembull të kohëve të fundit me Italinë, ku kryeministrja e Italisë ka pasur një telefonatë disa muaj më parë, por që është publikuar tani kohëve të fundit me dy ekspertë rusë të ndërhyrjes dhe ajo po fliste shumë hapur edhe për Ukrainën, duke thënë se ka një lodhje të Ukrainës, e cila padyshim nuk duhej të dilte në publik dhe ky është një shembull shumë i mirë se sa e lehtë është edhe për akterët e huaj të ndërhyjnë dhe të vijnë edhe në nivele kaq të larta si qeveritë.

Kemi shumë sulme dezinformimesh dhe propagandë ruse brenda Serbisë. Çfarë mund të bëjë Parlamenti Evropian për ta ndaluar propagandën ruse?

Parlamenti Evropian është i angazhuar në mënyrë aktive në luftimin e dezinformimit, veçanërisht në Ballkan. Por për mendimin tim, mund të bëjë edhe më shumë, si për shembull të futet më shumë në temën e Kosovës dhe Serbisë dhe të përpiqet të kuptojë realisht faktet e të luftojë për to dhe për mendimin tim kjo ende mungon. Ndërsa është e vërtetë që është e rëndësishme të luftosh drejtpërdrejt me akterin që ndërhyn, për mendimin tim është gjithashtu e rëndësishme të luftohet për të vërtetën në të njëjtën kohë dhe nuk po e shoh këtë duke ndodhur aq shumë.

A beson Parlamenti i BE-së se Vuçiqi mund ta zhvendosë Serbinë vërtet majtas? Sepse ne nuk besojmë.

Unë nuk mendoj se dikush në fakt beson se Vuçiqi mund të anojë nga Perëndimi. Por unë mendoj se ky është besimi mbi të cilin ata janë të mbështetur sepse nuk ka alternativë për këtë për momentin. Unë mendoj se frika kryesore është se nëse BE-ja vendos sanksione ndaj Serbisë, atëherë do të përfundojë plotësisht, edhe pse tashmë është, por mendoj se ata vërtet kanë shpresë se duke mos vendosur sanksione do të mund të kenë një përgjigje pozitive nga Serbia. Por siç e thatë edhe ju, Vuçiqi tashmë po e bën këtë zhvendosje në anën tjetër.

Kur shohim të gjitha këto fakte për Serbinë dhe Vuçiqin, pse ende Brukseli vendos sanksione për Kosovën dhe jo për Serbinë?

Kjo është një pyetje shumë e mirë. Unë nuk e di për këtë dhe gjithashtu jam shumë e mërzitur për këtë. Pothuajse çdo ditë i bëj thirrje BE-së që të heqë sanksionet ndaj Kosovës, veçanërisht në muajt e fundit me dialogun, pjesa konstruktive ka qenë qartë Kosova dhe jo Serbia. Edhe Serbia ka thënë drejtpërdrejt përballë Von der Leyen se nuk ka ndërmend ta njohë de fakto Kosovën. Pra, për mendimin tim, është më tepër një monolog sesa një dialog. Kështu që unë me të vërtetë mendoj se është koha që BE-ja të heqë sanksionet. Por unë gjithashtu e di dhe jam gjithashtu shumë e lumtur që Parlamenti Evropian arriti të votojë një rezolutë e cila është qartësisht pro-Kosovës në një farë kuptimi dhe që tregon shumë fakte edhe për sulmin terrorist në Banjskë dhe vërtet mendoj se kjo është pika ku edhe Komisioni Evropian duhet të fillojë të punojë.