Abdixhiku: Shpresoj të kem arritur të sillem si një rugovist i vërtetë, le të ringritemi si një
Foto: Laura Hasani

Abdixhiku: Shpresoj të kem arritur të sillem si një rugovist i vërtetë, le të ringritemi si një

Aktuale November 19, 2023 - 20:38

Lumir Abdixhiku, është deklaruar edhe një herë pasi u zgjodh edhe për një mandat të dytë në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Edhe për katër vitet e ardhshme, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), do të udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku.

Kështu vendosën delegatët e LDK-së, në kuvendin zgjedhor të kësaj partie që u mbajt të dielën (sot), shkruan Zeri.info.

Abdixhiku përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, është deklaruar se, besimi që i është dhënë për ta udhëhequr LDK-në në katër vitet e ardhshme është privilegj për të.

Ai është zotuar se gjatë katër viteve të ardhshme do t’i shërbej me dinjitet LDK-së por edhe do t’i prij asaj me nder.

“Shpresoj të kem ushtruar para jush me po aq përulje e përkushtim, besimin që kjo shtëpi e demokracisë më ka vënë mbi supe dy vite më parë. Shpresoj të kem arritur të përmbushë pritjet e juaja; shpresoj, mbi të gjitha, të kem arritur të sillem si një rugovist i vërtetë. Zotohem se për katër vitet ardhshme do të ju prijë me nder e dinjitet. Do t’i shërbejmë bashkërisht e pa kursim, Lidhjes Demokratike të Kosovës, shtëpisë së rugovistëve, të djathtëve e patriotëve të Republikës. Le të ringritemi si një!”, ka shkruar ndër të tjerash Abdixhiku, përcjell Zeri.info.

Postimi i plotë i Abdixhikut, pa ndërhyrje:

Anëtarësisë sonë, delegatëve të Kuvendit;

Ju faleminderit!

Marrja e përgjegjësisë dy vite e gjysmë më parë ishte privilegji më i madh jetësor. Konfirmimi i këtij besimi sot, nga të gjithë delegatët prezent, për katër vite të tjera, është nder i jashtëzakonshëm!

Kemi kaluar momente të vështira, kemi kaluar momente të gëzimit, të rigjetjes së vetes e të fatit tonë të përbashkët politik, të ringritjes si mision tek i cili shkriheshim të gjithë. Çdo sfidë që kemi hasur ka qenë një dëshmi e qëndrueshmërisë sonë, çdo triumf një nderim i unitetit tonë.

Dhe në gjithë këtë rrugëtim, kam marrë më të mirën nga ju. Kam gjetur njerëzoren; kam gjetur idealin e domosdoshëm për të shtyrë vendin një hap tutje. Kam gjetur vet përkushtimin që bënte të mundur këtë ecje edhe kur dukej rëndë, edhe kur dukej e pamundur. Më keni qëndruar afër si një familje e vërtetë, më shumë se sa një familje politike. Asgjë mangut në këtë rrugëtim.

Shpresoj të kem ushtruar para jush me po aq përulje e përkushtim, besimin që kjo shtëpi e demokracisë më ka vënë mbi supe dy vite më parë. Shpresoj të kem arritur të përmbushë pritjet e juaja; shpresoj, mbi të gjitha, të kem arritur të sillem si një rugovist i vërtetë.

Zotohem se për katër vitet ardhshme do të ju prijë me nder e dinjitet. Do t’i shërbejmë bashkërisht e pa kursim, Lidhjes Demokratike të Kosovës, shtëpisë së rugovistëve, të djathtëve e patriotëve të Republikës.

Le të ringritemi si një!

I juaji,

Lumiri. /Zëri