Juristët: KPK-ja të shpallë konkurs të ri për kryeprokuror të shtetit

Juristët: KPK-ja të shpallë konkurs të ri për kryeprokuror të shtetit

Aktuale November 19, 2023 - 13:34

Këshilli Prokurorial i Kosovës ende nuk ka marrë përgjigje zyrtare nga Presidenca për dekretim të Blerim Isufajt kryeprokuror të shtetit.

Dekretimi i tij është refuzuar gjatë muajit tetor nga presidentja Vjosa Osmani. Juristët thonë se në këtë situatë, e rrugës është që KPK të shpallë konkursi të ri për kryeprokuror të shtetit.

Pas njoftimit që bëri presidentja Vjosa Osmani, se nuk do ta dekretojë për kryeprokuror të shtetit Blerim Isufajn, Këshilli Prokurorial i Kosovës, më 1 nëntor, dërgoi përsëri në Presidencë emrin e njëjtë për dekretim. Radio Kosova ka pyetur KPK-në nëse kanë pranuar ndonjë përgjigje nga Presidenca, në lidhje me propozimin e tyre.

Në një përgjigje me shkrim nga KPK kanë thënë se ky institucion “nuk ka marrë përgjigje zyrtare nga Presidenca”. Nga presidenca nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjen se kur do të vendosë presidentja për dekretimin apo refuzimin e sërishëm të kandidaturës së Blerim Isufajt për kryeprokuror të shtetit.

Duke komentuar faktin se KPK dërgoi në presidencë një kandidat të refuzuar, profesori i së Drejtës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, thotë se e rrugës është shpallja e një konkursi të ri.

 “Në momentin kur presidentja nuk e dekreton kryeprokurorin e shtetit, në bazë të ligjeve në fuqi duhet të shkohet prej pikës zero. Pra, të hapet konkursi për kryeprokuror të shtetit. Kjo është një situatë që nuk ka ndodhur më herët”, tha Kryeziu.  

Ndërsa, juristi Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi,thotë se është e pa kuptimtë që KPK dërgoi përsëri kandidatin e njëjtë për kryeprokuror të shtetit. Për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, sipas tij, duhet shpallur konkurs i ri.

 “Edhe vetë Raporti i Progresit potencoi edhe një herë që Këshilli Prokurorial i Kosovës do të duhej që të fillonte menjëherë me plotësim-ndryshimin e kornizës ligjore të akteve të brendshme, në lidhje me procesin për kryeprokuror të shtetit. Të shpallë konkursin dhe pa vonesa të organizojë një proces të ri, të drejtë, të pavarur dhe të paanshëm, duke u bazuar në meritokraci. Në këtë proces barra i bie KPK-së, të cilët nuk kanë pasur të drejtë që të ripërsërisin kërkesën për kandidatin e propozuar”, tha ai.

Radio Kosova ka pyetur Këshillin Prokurorial nëse veprimi i tyre i radhës do të jetë shpallja e konkursit të ri për kryeprokuror të shtetit. Nga KPK nuk kanë treguar nëse planifikojnë shpalljen e konkursit të ri, por kanë thënë se lidhur me këtë çështje do të njoftojnë me kohë.

Ndryshe, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka miratuar listën e kandidatëve që kanë aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Në mesin e katër kandidatëve për këtë post,  është edhe Blerim Isufaj, i pasuar nga Valdet Gashi, Atdhe Dema dhe Naim Abazi./rtk