Arrestimi i doganierëve, Llugaliu thotë se ata bënë lëshime për përfitime personale
Tetë zyrtarë të Doganës së Kosovës dhe një zyrtar policor janë arrestuar mëngjesin e së shtunës gjatë një aksioni të Doganës, të asistuar nga Policia e Kosovës.
Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu ka thënë se nuk bëhet fjalë për kontrolle vetëm në pjesën veriore të vendit, por në 11 lokacione të ndryshme në territorin e Kosovës, ku këta zyrtarë kanë qenë duke vepruar.
“Në bazë të dëshmive që janë mbledhur nga masat e fshehta të hetimit, konsiderohet që kanë bërë vepra që kategorizohen si keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe korrupsion për disa zyrtarë. Nuk është se lidhen shumë me kontrabandën, më shumë lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë zbatimit të autorizimeve ligjore, kanë bërë lëshime të ndryshme për përfitime personale”, tha ai, për RTK-në.
Prokoruoria Speciale ka njoftuar se kontrolli është bërë me qëllim të mbledhjes së provave dhe ndalimit të nëntë zyrtarëve për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrja e ryshfetit”.
Gjatë këtij aksioni janë grumbulluar prova që mbështesin dyshimin se këta nëntë zyrtarë, tetë të Doganës dhe një zyrtar policor nga Policia kufitare, kanë qenë të përfshirë në veprat për të cilat dyshohen.