Në Serbi “kapërcehen” mësimet për luftërat e viteve ‘90
Foto: REL

Në Serbi “kapërcehen” mësimet për luftërat e viteve ‘90

Aktuale November 18, 2023 - 09:16

Mësime të historisë që “kryesisht kapërcehen” dhe “mezi përmenden”. Kështu i përshkruajnë të rinjtë nga Serbia njohuritë e marra në shkolla për luftërat e viteve ‘90 në territorin e ish-Jugosllavisë.

Kata, 19 vjeçe, nga Beogradi, thotë se kjo temë “nuk i intereson”.

“Një pjesë e të rinjve është e interesuar për këtë temë, por një shumicë e madhe nuk është”, beson ajo.

Hulumtimi “Qëndrimet e të rinjve në Serbi për luftërat e viteve ‘90”, i bërë nga Iniciativa joqeveritare e të rinjve për të drejtat e njeriut (YIHR), tregon se të rinjtë në Serbi dinë pak për luftërat e viteve ‘90.

Tri të katërtat e të anketuarve, nga mosha 18 deri në 30 vjeç, besojnë se kjo temë është trajtuar “pak” ose “fare” në shkolla.

Sa trajtohet tema e luftërave të viteve ‘90 në orët e historisë?

Image

 

Çfarë thonë të rinjtë?

Nevena, 26 vjeçe, thotë po ashtu se “nuk është e interesuar për këtë temë”.

“Së pari, nuk e kam atë kulturën e bisedave politike në shtëpi. Mua asnjëherë nuk më ka interesuar politika, ndryshe prej bashkëmoshatarëve të mi që janë shumë të interesuar për të”, thotë Nevena për Radion Evropa e Lirë.

Ajo thotë se mban mend që në shkollë mësohej, por jo shumë.

“Kryengritja e Parë dhe e Dytë Serbe [kryengritjet kundër sundimit osman në shekullin e 19-të] dhe Lufta e Parë Botërore pasqyroheshin më shumë, ndërsa vitet 1990 shumë sipërfaqësisht”, thotë Nevena.

Jovani, 20 vjeç, thotë se në shkolla mësohet për luftërat e viteve ‘90, por “jo objektivisht”.

“Të rinjtë dinë vetëm atë që u kanë thënë prindërit e tyre, e kjo ndoshta është mjaft e njëanshme. Është interesante të shohësh numra realë, motive reale... Informacioni i besueshëm është gjithmonë i vështirë për t’u gjetur”, thotë Jovani.

Nga mësojnë të rinjtë më shumë për historinë?

Image

 

Marija Vasiq, profesoreshë e sociologjisë në gjimnazin “Jovan Jovanoviq Zmaj” në Novi Sad, tha gjatë prezantimit të hulumtimit se të rinjtë nuk janë të painteresuar, por atyre nuk u janë ofruar njohuri adekuate për luftërat e viteve ‘90.

“Mësimet vendosen në fund të librit dhe ajo që shohim, është se mësuesit u shmangen, pra justifikohen gjithmonë, duke thënë se është fundviti dhe nuk kanë arritur”, tha Vasiq, duke shtuar se shumë mësimdhënës nuk pajtohen me atë që shkruhet në tekstet shkollore.

Anja Zlloporuboviq, nga Nisma për të Drejtat e Njeriut në Serbi, thotë se shmangia e bisedave për luftërat e viteve ’90, krijon një lloj frike te të rinjtë.

“Të rinjtë nuk guxojnë t’i pyesin të moshuarit, t’i pyesin profesorët... nuk guxojnë ta pyesin askënd për këto tema, sepse ose do të marrin përgjigje të njëanshme, shumë subjektive, ose nuk do ta marrin fare atë. Aty vjen momenti kur kjo frikë shkakton injorancë, e pastaj ajo injorancë shkakton urrejtje dhe çdo gjë tjetër që shkon bashkë me të”, thotë Zlloporuboviqi.

Sipas profesoreshës Vasiq, është e nevojshme të gjendet një mënyrë për t’iu afruar të rinjve, në mënyrë që përmbajtja të jetë më e kapshme për ta.

“Para së gjithash, duhet të kemi një kulturë kujtimi dhe ballafaqimi, ta shohim se cila është e vërteta, kush ka bërë çfarë, në emër të kujt, a jemi fajtorë apo jemi përgjegjës nëse heshtim dhe nëse nuk reagojmë... dhe vetëm atëherë të niset me disa procese pajtimi”, thotë Vasiqi. /REL

Shkrimin e plotë mund ta gjeni KETU: