Lajçaku paralajmëron zhvillime në procesin e dialogut Kosovë-Serbi

Lajçaku paralajmëron zhvillime në procesin e dialogut Kosovë-Serbi

Aktuale November 17, 2023 - 21:54

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka bërë një përmbledhje të aktivitetit të tij prej ndërmjetësuesi në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Emisari Lajçak ka shkruar në Facebook se në fillim të javës ka qëndruar në Beograd pas vizitës që kishte realizuar në Prishtinë. Sipas tij, diskutimet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, ishin të fokusuara në vazhdimin e përpjekjeve për të avancuar zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit.

Ai ka shkuar se edhe diskutimet në Kosovë kanë qenë për çështjet me rëndësi në kuadër të dialogut, duke theksuar nevojën urgjente për zgjidhje në përgatitje të takimit të kryenegociatorëve.

“Në bisedat tona, unë theksova që implementimi i Marrëveshjes duhet të ketë progres nga të dy palët në përmbushjen e obligimeve të tyre respektive, hap pas hapi paralelsisht dhe bazuar në parimin që të dy palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka”, ka shkruar Lajçak.

Emisari ka shkruar edhe për takimet që ka pasur me kryenegociatorët në Bruksel. Ai ka treguar se kanë diskutuar për një numër çështjesh, përfshirë statutin, planin e zbatimit, energjinë, tabelat, zgjedhjet dhe personat e zhdukur.

Sipas tij, është bërë përparim në disa çështje dhe se pret një vazhdim të shpejtë të negociatave duke treguar se ka plan që bisedimet t’i vazhdojë në ditët dhe javët në vijim.

“Takimet ishin të dobishme për të bërë përparim në një sërë çështjesh në agjendën tonë të dialogut. Prandaj, kam në plan të vazhdoj bisedimet në ditët dhe javët në vijim”, ka deklaruar Laçjak.

Emisari i BE-së ka përmendur edhe takimin që ka pasur në Bruksel me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.

“Pata një takim të dobishëm me liderin e partisë opozitare të Kosovës, PDK-së, Memli Krasniqi. Folëm për situatën në Kosovë dhe rëndësinë e progresit në Dialog për rrugën të Kosovës”, ka thënë Lajçak.