Grajqevci skeptik se si po trajtohet çështja e personave të zhdukur në Bruksel

Grajqevci skeptik se si po trajtohet çështja e personave të zhdukur në Bruksel

Aktuale November 17, 2023 - 19:49

Ahmet Grajqevci nga Këshilli Koordinues i Familjarëve të të Zhdukurve ka thënë se janë skeptik se si është duke u udhëhequr çështja e personave të zhdukur në Bruksel.

Ai ka thënë se çështja e personave të zhdukurve ka qenë si pikë e parë e bisedimeve në dialogun Kosovë-Serbi, por që sipas tij, tash ka kaluar në pikën e 7 apo 8.

Grajqevci më tej, ka thënë se pa një presion të madh nga bashkësia ndërkombëtare për Serbinë, vështirë që do të këtë përparime në këtë proces.

“Ne ende nuk kemi pasur kontakte më kryetarin e Komisionit të Personave të Zhdukur, por presim që nesër të njoftohemi. Nuk kemi ndonjë njoftim të ri se çfarë është biseduar, por ne si familjarë gjithherë mbesim skeptik se do të realizohet ajo ëndrra për zbulimin dhe identifikimin e personave të zhdukur nga pala serbe. Kjo çështja e personave të zhdukur ka qenë pjese e bisedimeve si pikë e parë, por siç duket atje në Bruksel ka ndryshuar ka dalë pika e 7 apo e 8, kështu pra jemi skeptik…ndoshta ata mendojnë ta qesin si prioritet, por Serbia kurrë nuk e merr si prioritet çështjen e personave të zhdukur.

Shihet neglizhenca e saj për të treguar se ku i ka fshehur personat e zhdukur , ku i ka fshehur në brendësi të Serbisë. Ajo e shfrytëzon si çështje politike, por çështja e personave të zhdukur është një çështje humanitare”, ka deklaruar ai./teve1