BE-ja t’i bëjë më shumë presion Serbisë për sulmin terrorist, thekson Konjufca

BE-ja t’i bëjë më shumë presion Serbisë për sulmin terrorist, thekson Konjufca

Aktuale November 17, 2023 - 17:10

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka marrë pjesë në punimet e Konferencës së 11-të të Kryetarëve të Parlamenteve të Shteteve të Evropës Juglindore.

Në këtë konferencë që po mbahet në Budapest, temë diskutimi është “Procesi i integrimit evropian të vendeve të Evropës Juglindore”, raporton Zeri.info.

Në konferencë, shtetet aspiruese për integrim po shkëmbejnë pikëpamje dhe përvoja për procesin integrues, veçanërisht nga këndvështrimi i kontributit të parlamenteve në mbështetjen e agjendës së reformave që shtetet duhet të ndërmarrin në rrugën e tyre drejt BE-së.

Konjufca në fjalën e tij potencoi rëndësinë e unitetit pan-evropian kundrejt rreziqeve që rajoni ynë dhe Evropa në përgjithësi po përballet këto kohë, kur agresioni rus në Ukrainë po vazhdon, sikurse edhe përpjekjet për të përhapur vatra të reja konflikti dhe krize.

“Në këtë kontekst kryetari i Kuvendit denoncoi përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës në shtator të këtij viti dhe njëherësh i bëri thirrje Bashkimit Evropian të ushtrojë më shumë presion ndaj Serbisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, thelbi i të cilit normalizim duhet të jetë njohja reciproke si dy subjekte sovrane dhe të pavarura, ashtu edhe siç përcaktohet në Marrëveshjen e Brukselit”, thuhet ndër tjera.

Ai tha se Kosova e sheh Bashkimin Evropian si një bashkësi politike ku respektohen vlerat demokratike, liritë dhe të drejtat, sovraniteti dhe integriteti territorial i anëtarëve të saj.

Në konferencë, përveç delegacioneve të parlamenteve të rajonit, po merr pjesë edhe Komisioneri për Zgjerimin i Bashkimit Evropian, z. Olivèr Várhelyi, si mbështetje për aspiratat euro-integruese të vendeve të Evropës Juglindore që janë në proces integrimi. /Zëri