Lekaj i AAK-së: Buxheti për vitin 2024 s’është as zhvillimor, as i suksesshëm
Foto: Laura Hasani

Lekaj i AAK-së: Buxheti për vitin 2024 s’është as zhvillimor, as i suksesshëm

Aktuale November 16, 2023 - 14:34

Deputeti i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, në seancën e sotme, ku po diskutohet për projektbuxhetin e shtetit për vitin 2024, ka thënë se ky nuk mund të quhet as buxhet zhvillimor e as i suksesshëm.

Lekaj ka thënë se buxheti po bëhet pa i përfillur kërkesat buxhetore të komunave.

“Për ne si AAK ky buxhet ka shumë mangësi dhe nuk përmbush nevojat e kërkesat reale të të gjitha kategorive buxhetore. Ky buxhet nuk është buxhet i qytetarëve të Kosovës, sepse po bëhet pa i përfillur kërkesat buxhetore të komunave, të shoqërisë civile, të institucioneve qendrore publike, të sindikatave, të njësiteve tjera buxhetore dhe propozimeve të partive opozitare”, ka thënë ndër të tjera Lekaj.

“Ju bëj thirrje që në mes të leximeve t’i merrni parasysh kërkesat buxhetore dhe amendamentet që do t’i bëjnë komunat, sindikatat, shoqëria civile, si dhe ne si deputetë.
Kosova ka nevojë për konstruktivitet dhe bashkëpunim pozitë-opozitë, prandaj kjo duhet të fillojë nga Buxheti i Kosovës e për të vazhduar me temat e tjera të rëndësishme që lidhen me të ardhmen e vendit për vitin 2024”, tha Lekaj.