IKSHPK: Cilësia e ujit u përmirësua dhe pritet të ulen vlerat e manganit, por ende i papijshëm

IKSHPK: Cilësia e ujit u përmirësua dhe pritet të ulen vlerat e manganit, por ende i papijshëm

Aktuale November 16, 2023 - 12:27

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se cilësia e ujit në liqenin e Badovcit është përmirësuar, por ende nuk mund të pihet pasi pritet shumë shpejt të ulen vlerat e manganit në rrjet.

Përmes një njoftimi për media thuhet se nga analizat e fundit laboratorike tregojnë se gjendja në liqe është qetësuar, cilësia e ujit është përmirësuar dhe pritet që në ditët në vijim të ulen vlerat e manganit në rrjet, sipas standardeve të parapara në Udhëzimin administrativ nr. 10/2021 - cilësia e ujit për konsum nga njeriu.

Njoftimi i plotë:

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njofton popullatën se është, duke vazhduar monitorimi dhe përcjellja në vazhdimësi e cilësisë së ujit në liqenin akumulues të Badocit, të destinuar për pije.

Analizat e fundit laboratorike tregojnë se gjendja në liqe është qetësuar, cilësia e ujit është përmirësuar dhe pritet që në ditët në vijim të ulen vlerat e Manganit në rrjet, sipas standardeve të parapara në Udhëzimin administrativ nr. 10/2021 - cilësia e ujit për konsum nga njeriu.

Ekipet e IKSHPK-së janë në terren 24/7 dhe po bëhen çdo ditë analiza fiziko-kimike të ujit të prodhuar në fabrikën që furnizohet nga liqeni akumulues i Badocit dhe qytetarët do të njoftohen me kohë për normalizimin e parametrave referent të ujit të pijshëm.

IKSHPK-ja apelon qytetarët të cilët furnizohen nga fabrika e ujit në liqenin e Badocit se:

Uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës dhe ambienteve të banimit, si dhe për nevoja të tjera;

Uji në rajonet që furnizohen nga liqenet akumulues Batllava dhe Ujmani mund të përdoren për pije pa përkufizim.

Shpërlarja e rezervuarëve të ujit në shtëpi dhe ndërtesat e banimit të përbashkët me qëllim pastrimi të manganit të shtresuar (përgjegjësi e amvisërive dhe këshillave të banimit)

Monitorimi dhe përcjellja e vazhdueshme për cilësinë e ujit po bëhet në tërë zonën e furnizimit nga liqeni i Badocit (shih hartën):

Bashkëveprimi i IKSHPK/QU dhe KRU-ve me institucionet shtetërore është në kontinuitet deri në qetësimin e situatës.

Po vazhdon bashkëveprimi i IKSHPK me KRU “Prishtina” deri në normalizimin e vlerave të manganit.