Haradinaj: Ky është buxheti më i vogël që nga çlirimi i vendit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar projektbuxhetin e vitit 2024 si një prej buxheteve më të vogla që nga çlirimi i Kosovës.
Sipas tij, rritja prej 102 milionë eurove është vetëm zvogëlim, duke përmendur shkallën e lartë të inflacionit, raporton Zeri.info.
“Rritja për vetëm 102 milionë euro është praktikisht është zvogëlim real i buxhetit kur marrim parasysh shkallën e inflacionit këtë vit dhe vitin që vjen.
Kjo është rritja më e vogël e një buxheti që nga çlirimi i vendit, rritja e koeficientit të pagave nga 105 në 110 euro nuk është rritje, as harmonizim, por zvogëlim real i pagave. Indeksi i çmimeve të konsumit është 5.1% këtë vit dhe 2.7 % i paraparë për vitin 2024”, ka thënë Haradinaj në fjalën e tij në seancën e Kuvendit.
Ai cilësoi shqetësuese edhe nënçmimin që sipas tij Qeveria ua ka bërë disa kategorive.
“Shqetësuese është në veçanti nënçmimi që u bëhet disa kategorive si; Policia, shëndetësia, drejtësia e të tjera të dëmtuara nga Qeveria”, tha Haradinaj. /Zëri