Pse serbët në veri po kërkojnë pasaporta të Kosovës?

Pse serbët në veri po kërkojnë pasaporta të Kosovës?

Aktuale November 16, 2023 - 09:40

Analisti i sigurisë, Bedri Elezi, është shprehur se asnjë serb në veri të Kosovës nuk ka mundur të lëvizë lirshëm në Zonën Schengen të BE-së, megjithëse kanë pasur pasaporta serbe.

Komentet Elezi i bëri përmes një lidhjeje direkte në EuroNews, ku tha se kjo vinte për shkak se BE-ja lejonte të lëviznin lirshëm vetëm serbët residentë në Serbi.

Kjo sipas Elezit ka bërë që shumë serbë në Kosovë të interesohen për pasaporta të Kosovës dhe të vendosin targa të Kosovës.

“Është një numër i madh i serbëve të interesuar për t’u pajisur me pasaporta të Kosovës dhe për të pajisur makinat e tyre me targa të Kosovës. Kjo vjen pas vendimit të BE-së për të futur Kosovën në Schengen. Pra duan të shfrytëzojnë lëvizjen e lirë. Regjistrimi i veturave, është i ndërlidhur me hyrjen e Kosovës në Schengen. Qytetarët e Serbisë, edhe pse kanë pasur pasaportat e Serbisë, nuk kanë mundur të udhëtojnë në Shengen, megjithëse Serbia ka qenë më parë në zonën e lirë.

Asnjë serb që ka jetuar në Kosovë, nuk ka qenë banor i Serbisë dhe nuk ka pasur mundësi të lëvizë në Shengen, megjithëse kishin pasaporta serbe. Kjo pasi vendimi i BE-së ishte që vetëm banorët rezidentë të Serbisë mund të lëviznin. Pra ishte familja Schengen që kishte përjashtuar qytetarët. Në pasaportat e këtyre qytetarëve ishin përcaktuar koordinatat. Pra rezidenca”, është shprehur Elezi.