Sot marshohet në Prishtinë në përkrahje të Palestinës

Sot marshohet në Prishtinë në përkrahje të Palestinës

Aktuale November 16, 2023 - 09:04

Sot nga ora 17:30 Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist do të organizojnë marsh në solidaritet me popullin palestinez, që është duke u përballur me agresion të vazhdueshëm nga Izraeli.

Ky marsh do të nisë nga sheshi “Zahir Pajaziti” në kryeqytet deri tek objekti i Qeverisë, raporton Zeri.info.

“Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin palestinez dhe çdo civil të pafajshëm izraelit. Megjithatë, ndonëse kundërshtojmë politikat dhe krimet e Hamasit, ne nuk i bashkojmë zërat tanë me ata që në emër të barazimtarive janë duke u shndërruar në financues të gjenocidit ndaj Palestinës”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu ky Kolektiv thotë se përmes këtij marshi denoncon edhe qëndrimet e zyrtarëve të shtetit të Kosovës që janë shprehur pro Izraelit.

“Të enjten ne ngrihemi në këmbë dhe thërrasim në solidaritet dhe mobilizim ndërkombëtar për ta kundërshtuar dhe ndalur luftën ndaj palestinezëve. Njëherësh, duke denoncuar qëndrimet zyrtare të shtetit të Kosovës si pozicione progjenocidale, ne kërkojmë përgjegjësi dhe ndryshim të kursit politik shtetëror. Duke e njohur fuqinë transformuese të organizimit, solidaritetit dhe ligjërimit publik, ne thërrasim në mobilizim gjithëpopullor dhe pozicionim të drejtë, të enjten dhe përherë!”, thuhet ndër të tjera në komunikatë. /Zëri