Kurti ia përmend NJSI-së kufizimet për shtesat e rrezikshmërisë
Foto: Laura Hasani

Kurti ia përmend NJSI-së kufizimet për shtesat e rrezikshmërisë

Aktuale November 15, 2023 - 22:05

Sot është mbajtur një takim gati treorësh mes kryeministrit Albin Kurti dhe përfaqësuesve të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës.

Kurti që ishte i shoqëruar me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe atë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin, teksa pritën zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti dhe përfaqësues e pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës

“Në një diskutim të gjatë, kryeministri Kurti dhe dy ministrat e kabinetit qeveritar fillimisht i dëgjuan me vëmendje të gjitha kërkesat dhe çështjet e ngritura nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, teksa i falënderuan për kontributin e tyre me punë profesionale dhe në shërbim të rendit dhe ligjit”, thuhet në komunikatën e kryeministrisë.

“Gjatë takimit, kryeministri Kurti i njoftoi ata se kategorizimi dhe vlera e shtesave të rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës është bërë me kujdes të veçantë e të shtuar, duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët rreth punës dhe përgjegjësive të tyre, por në të njëjtën kohë duke pasur parasysh edhe kufizimet që ekzistojnë”.

Në komunikatë thuhet që qeveria është e përkushtuar në përmirësimin e kushteve dhe pajisjeve të punës për Policinë e Kosovës, duke përmendur projektbuxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku thuhet se parashihet shtimi i investimeve kapitale në Policinë e Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovë është e përkushtuar për përmirësimin e kushteve dhe pajisjeve të punës për Policinë e Kosovës në mënyrë që krahas lehtësimit në punë, të ndikojë drejtpërdrejt po ashtu në uljen e rrezikshmërisë gjatë kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive”.

“Ky përkushtim reflektohet edhe në projektbuxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2024 në të cilin parashihet shtimi i investimeve kapitale në Policinë e Kosovës”.