Halitjaha thotë se me porosinë e Kadri Veselit avokati Emmerson e quajti të shantazhuar
Gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë dëshmitari Sadik Halitjaha tha se me porosinë e Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson e ka quajtur të shantazhuar.
“Zoti Emmerson ka bërë një digresion kundër meje, si duket me ndikimin e Kadri Veselit, se ashtu erdhi ajo asistentja me një letër, ka thënë se unë jam i shantazhum se pasna pas dhanë një urdhër diku se me u vra një burrë e dy gra dhe koka anku se pse unë nuk kam avokat. Kisha dasht shkurt që të iu drejtohem kryetar i gjykatës e jo avokatit se ajo për mua ishte një thikë pas shpine, ai duhet ta sqaroj drejtë dhe të jetë fer dhe jo të jep goditje poshtë brezit. Të jetë le ta tregoj se ku është urdhri, ku e ka pa, ku e ka ni dhe ku e ka atë kopje të urdhërin”, tha Halitjaha.
Halitjaha tha se nuk mundet askush ta shantazhojnë atë dhe asnjëherë nuk ka qenë i shantazhuar.
“Nuk duhet të me thotë i shantazhum se kurrë në jetë nuk qenë i shantazhumë. Nuk ka forcë në këtë botë që me shantazhin, mund të me vrasin dhe të me burgosin, por të me ligin dhe me shantazhojnë le ta harron Emmersoni dhe Kadria që e porositi me thanë ashtu”, tha Halitjaha.
Halitjaha tha se në këtë seancë gjyqësore, pa praninë e tij është thënë se ky dëshmitar është pa relevancë.
“Mua nuk po me ngutet, nuk po me ik autobusi. Unë e di që duhet sqaruar këto gjëra mirë dhe duhet thënë e vërteta dhe nuk duhet ta prishni dinamizmin e punës që keni marrë përsipër cka do të iu tham unë është se mua nuk po me pengojnë pyetjet…Kur me keni nxjerr jashtë për mos me degju unë se çka po flitet këtu në sallë është shtru kjo çështje. Është thanë se ky dëshmitar është i pa relevancë”, tha Sadik Halitjaha.
Pas insistimit të kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith, dëshmitari tha se kjo çështje është ngritur nga mbrojtja e Kadri Veselit përmes avokatit Ben Emmerson.
“Sepse kjo është gjykim publik dhe dëgjohet publikisht edhe jashtë kësaj gjykate. Këtë cështje e ka ngritë avokati Emmerson. Ju i keni edhe incizimet zoti kryetar mos të bëhemi tani sikur nuk po e dini edhe ju. Mjaftë jam i lëndum prej asaj se pse duhet ta thoshte edhe pse të më shpallte si jorelevant i kushtëuzuar nga gjykata dhe prokuroria unë këtu. Nëse me ka kushtëzuar dikush këtu jeni ju këtu dhe prokurorja. Prokuroria ka reagu dhe ka thënë për avokat e kam pyet tri herë e nuk ka dashtë”, tha Halitjaha.
Aitha se e ka incizimin e sallës ku është diskutuar kjo çështje dhe se këtë gjë ia kishte dërguar një familjar i tij, për të cilin tha se nuk do e tregoj identitetin e tij.
“Një familjar i jem, nuk ua tregoj se kush me ka thënë. E kam edhe incizimin. E kam incizimin e sallës dhe nuk duhet të bëhemi sikur nuk ka ndodhur kurrgjë. Për me fol me thikë prapa shpinës nuk duroj. Folim haptas nuk po fshihem prej kërkujt’, tha dëshmitari.
Lidhur me këtë, reagoi edhe avokati Ben Emmerson i cili tha se ka mundur që të ik ndonjë gjë gjatë përkthimit.
“Meqë kuptoj, nga ajo se çfarë tha dëshmitari është që na shpjegoi ose i është thënë nga dikush se çfarë ka ndodhur në diskutimin që nuk ka qenë i pranishëm dëshmitari. Mund të ndodhë që ka humbur edhe gjatë përkthimi”, tha Emmerson.
Ndryshe, kryetari i trupit gjykues, Smith urdhëroi që të vazhdojë seanca dhe pastaj që të sigurohet që dëshmitari të flas me dikë nga gjykata lidhur me këtë çështje.
“Le të vazhdojmë dhe pastaj të sigurohemi që dëshmitarit të jepet mundësia që të flas me dikë nga gjykata pa praninë e palëve apo personave që janë këtu në gjykatë”, tha Smith III.
Pyetjet për dëshmitarin Sadik Halitjaha ka filluar që t’i parashtroj mbrojtja e Veselit përmes avokatit Ben Emmerson.
Ndryshe, në seancën e së hënës kur filloi dëshminë dëshmitari Halitjaha, Emmerson ka thënë se ky dëshmitar është “bashkëkonspirues pa aktakuzë” dhe pretendohet se ai ka urdhëruar rrëmbimin e tri grave që janë familjare të dëshmitarëve, e të cilat më pas janë gjetur të vdekura.
Në parashtrimin e tij, Emmerson tha se gjatë marrjes në pyetje ky dëshmitar mund të japë informacione të cilat mund të jenë vetëinkriminuese.
“Sikurse mund të dini i nderuar gjykatës, ky dëshmitar citohet si atë në Amerikë e quani bashkëkonspirues pa aktakuzë dhe kjo shtjellohet më tej në paragrafin 155 të aktakuzës dhe shtjellohet më tej në paragrafin 329 të dosjes së gjykimit paraprak të Prokurorisë. Ajo ka të bëjë me një incidim që e keni çuar edhe më herët dhe lidhet me një pretendim që ky dëshmitar ka urdhëruar rrëmbimin e tri anëtarëve të familjeve të dëshmitarëve, tri gra të cilat janë gjetur të vdekura”, tha Emmerson.
Avokati tha se meqë dëshmia e dëshmitarit mund të jetë vetëinkriminuese, mund ta lejojë të marrë një këshillë nga një avokat.
“Duke marrë parasysh këtë historik, këtë sfond dhe këtu sigurisht në… të paragrafit 97, paragrafi 5 të protokollit të urdhrit për zhvillimin e procesit gjyqësor të datës 25 janar… ku thuhet se gjatë seancës përgatitore, marrja në pyetje nga z.Pace duhet ta bëjë marrjen në pyetje duke marrë parasysh dëshmitarët dhe informacionet që ai mund të japë, mund të jetë vetinkriminues dhe që të lejojë që të marrë këshillë nga një avokat”, tha tutje Emmerson.
Emmerson tha se nuk e ka dëgjuar prokurorin James Pace që nuk e ka informuar dëshmitarin se në qoftë se trajtohet ose del ndonjë çështje e cila e inkriminon, atëherë duhet të ngritët çështja te trupi gjykues.
Sipas tij, është e rëndësishme që t’i sqarohet dëshmitari se cilët janë hapat që mund të ndodhin, në rast se cenohen një nga pikat e lartpërmendura.
Tutje, Emmerson tha që në shënimet që i ka parë, nuk e ka të qarë nëse Prokuroria ia ka bërë me dije dëshmitarit që ai jo vetëm që mbetet në dyshim, por është një element shumë i rëndësishëm kundër të akuzuarve.
Ndërsa, prokurori James Pace tha se dëshmitarit iu është bërë me dije dhe se i njëjti ka hequr dorë nga e drejta për të pasur avokat. /Betimi përDrejtësi