Punëtorët e Stacionit të Autobusëve dyshojnë se bordi po dëshiron t’ua zhvatë kursimet
Stacioni i Autobusëve në Prishtinë nuk po arrin të rehatohet me bord.
Ka rreth dy vjet që problemet në funksionimin e Bordit Drejtues kanë përmbysur secilën iniciativë që punët të ecin drejt funksionimit normal, raporton Kiks Kosova.
Shumë kohë ky mekanizëm ka funksionuar edhe pa bord, por edhe kur e pati atë, punët po kryheshin me vështirësi.
Emrat që u përzgjodhën herën e fundit nga Komiteti i Aksionarëve të NPL “Stacioni i Autobusëve” u bënë shkak që të thellohet edhe më shumë problemi aty.
Sindikata e punëtorëve të këtij institucioni, në vazhdimësi, ka ngritur zërin se disa prej anëtarëve të këtij bordi u emëruan jashtëligjshëm.
Pikërisht ngritja e zërit nga sindikalistët bëri që më 15 maj të këtij viti të anulohej konkursi i janarit.
Por të përzgjedhurit që nuk arritën të dekretoheshin në këtë bord u ankuan në Gjykatë.
Vetëm 15 ditë pas anulimit të këtij konkursi, Gjykata Themelore vendosi masën e sigurisë, duke theksuar se çdo gjë që lidhej me këtë bord, që vjen nga konkursi i janarit, të stagnojë deri në një vendim final.
Por vendimi i gjykatës nuk u përfill fare nga Komiteti i Aksionarëve të këtij stacioni. /klankosova