Mustafa: Deklaratat e Kurtit për opozitën janë të papjekura
Foto: Laura Hasani

Mustafa: Deklaratat e Kurtit për opozitën janë të papjekura

Aktuale November 15, 2023 - 18:53

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, i quan si të papjekura deklaratat e kryeministrit Albin Kurti lidhur me atë se opozita po shkon drejt zhdukjes.

Në Info Magazine të Klan Kosovës ai u shpreh se kjo tregon për dëshirën e Kurtit dhe jo për gjendjen aktuale në vend.

“Nëse i marrim si deklarata të një burrështetasi e të një udhëheqësi të shtetit, do i quaja deklarata të papjekura, sepse një kryeministër në një vend demokratik, përveç obligimeve dhe detyrave të tjera që ka, ka obligim dhe detyrë të sigurojë zhvillimin dhe mbarëvajtjen e proceseve dhe demokracisë, pra proceseve demokratike dhe vet demokracisë në vend”.

“Në shtetet demokratike, ai që ka pushtetin ka për obligim dhe të garantojë që në vend t’i jepet hapësirë e mjaftueshme një opozite për t’u zhvilluar, sepse vetëm nëse ke pushtet dhe opozitë ke demokraci. Në të kundërtën përfundon në sisteme diktatoriale”.

“Nëse kryeministri i vendit sillet me arrogancë e me tallje që opozita po shkon drejt zhdukjes, kjo tregon për mendësinë e tij, për vizionin e tij, për mënyrën se si ai e sheh zhvillimin e shtetit, pra për tendencat e tij që të ketë Kosova vetëm një parti dhe vetëm një lider pa opozitë”.

Mustafa shtoi se është fatkeqësi që një kryeministër i një vendi demokratik në kontinentin evropian siç tha, tallet duke thënë që opozita po shkon drejt zhdukjes dhe se kjo tregon për dëshirën e tij dhe jo për gjendjen aktuale në vend. /klankosova