Shqiptarët “e fshirë” në jug të Serbisë i drejtohen Gjykatës Kushtetuese

Shqiptarët “e fshirë” në jug të Serbisë i drejtohen Gjykatës Kushtetuese

Aktuale November 15, 2023 - 13:50

Safet Demiroviq dhe Teuta Fazliu janë dy nga shumë shqiptarë të Serbisë Jugore, të cilëve u janë çaktivizuar adresat ku janë të regjistruar.

Policia, sipas tyre, ua ka fshirë ato me shpjegimin se nuk jetojnë aty.

“Askush nuk më ka lajmëruar, as nuk më ka njoftuar [që adresa ime është çaktivizuar]”, thotë Demiroviqi për Radion Evropa e Lirë.

Një përvojë të ngjashme thotë se ka kaluar edhe Teuta Fazliu. Duke folur për Shërbimin e Ballkanit të REL-it, ajo thotë se raste të ngjashme, kur bëhet fjalë për shqiptarët, ka pasur edhe më herët, por se numri është rritur ndjeshëm viteve të fundit.

“Jam gati të shkoj deri në Strasburg [ku gjendet Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut]”, thotë ajo.

Rasti i Demiroviqit dhe Fazliut ka arritur në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë. Në ankesë, ata thonë se janë viktima të diskriminimit dhe se policia i ka fshirë në mënyrë të paligjshme nga adresat e tyre, për t’ua mohuar të drejtat elementare.

Përveç të drejtave për dokumente dhe sigurim shëndetësor, atyre, në këtë mënyrë, u është mohuar edhe e drejta për të votuar në zgjedhje.

Pretendimet e njëjta janë bërë edhe në një raport të publikuar së voni nga Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi. Aty thuhet se përqindja e adresave të çaktivizuara në komunat e jugut, ku serbët janë shumicë, është shumë më e ulët - gjegjësisht nuk kalon një për qind të popullsisë së përgjithshme.

Në anën tjetër, në rastin e komunës së Medvegjës, ku jeton një popullatë e përzier serbe-shqiptare, kjo përqindje është shumë herë më e lartë - 21.2 për qind në periudhën 2015-2019.

“I fshirë pa paralajmërim”

Katër vjet më parë, Safet Demiroviq nga Banja e Sijarinës në komunën e Medvegjës, në jug të Serbisë, ka marrë vesh rastësisht se është fshirë nga adresa e tij. Ai ka shtëpi dhe kompani të regjistruar në atë vend.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se në vitin 2019 ka shkuar në stacionin lokal policor “për ta regjistruar veturën në emër të tij”.

Por, policia e ka pritur me njoftimin se adresa e tij është çaktivizuar dhe se nuk mund t’i marrë dokumentet.

Demiroviq thotë se punon përkohësisht në Austri, por se shkon rregullisht në Serbi. Ai thotë se nuk ka marrë asnjë njoftim për çaktivizimin e adresës së tij.

“Në Banjë të Sijarinës kam shtëpinë dhe kamera përreth objektit... Do ta shihnim po të kishte qenë policia”, thotë ai.

Demiroviq pohon se pas kësaj, në një bisedë jozyrtare private me policinë, i është thënë se nuk mund të regjistrohet më në adresën në Banjë të Sijarinës, për arsye politike, përkatësisht për shkak të “votave në zgjedhje”.

“Kjo, sepse unë quhem Safet, e jo Goran, për shembull”, thotë ai.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me problemin e çaktivizimit të adresave.

Demiroviq thotë se, në fund, është detyruar të regjistrohet në një adresë në Beograd, për të pasur vendbanim në Serbi.

“Ndihem keq që nuk jam i regjistruar në vatrën time. Gjyshi dhe stërgjyshi kanë jetuar atje. Ne jemi vendas. Jam rritur atje. Aty kam kaluar fëmijërinë”, thotë Demiroviq, duke shtuar se kjo është edhe arsyeja përse ka vendosur që t’u drejtohet gjykatave në Serbi.

Ai thotë se nuk është i vetmi që ka përjetuar një gjë të tillë në zonën ku jeton dhe beson se pjesëtarët e pakicës kombëtare shqiptare, në këtë mënyrë, janë shënjestra.

“Miqtë e mi të kombësisë serbe punojnë edhe jashtë vendit, por adresat e tyre nuk janë çaktivizuar. Të drejtat tona civile mohohen”, thotë Demiroviq.

Çaktivizimi i adresave në Serbi bëhet në përputhje me Ligjin për vendbanim.

Policia, me kërkesë të gjykatës, administratës shtetërore apo ndonjë organi tjetër që ka interes të justifikuar juridik, kontrollon nëse shtetasi banon në adresën e regjistruar.

Sipas regjistrimit të vitit 2022, në komunën e Medvegjës jetojnë 6.360 banorë, ndërsa numri i qytetarëve të nacionalitetit shqiptar është 905. Në fotografi Komuna e Medvegjës.

“Vendim politik”

Teuta Fazliu thotë se në vitin 2020 ka marrë një telefonatë nga policia në Bujanoc, në jug të Serbisë, për t’u lajmëruar për përcaktimin e adresës së saj.

“Telefonata ka ardhur pasdite dhe unë është dashur të lajmërohem në 10 të mëngjesit. Këtu është shkelur ligji. Nuk mund ta thërrasësh dikë atë ditë dhe atë ditë të lajmërohet”, thotë ajo.

Fazliu shton se pas një jave ka marrë njoftimin se i është çaktivizuar adresa, pasi gjoja nuk jeton në Bujanoc.

“Në Bujanoc kam qenë nga 11 marsi 2020, për shkak të pandemisë. Kam punuar nga shtëpia, kam qenë shtatzënë dhe kam qëndruar gjatë gjithë kohës në shtëpi”, thotë Fazliu, duke shtuar se policia nuk e ka kontrolluar vazhdimisht nëse ka qenë në adresë, ashtu siç pretendon.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU