Një shkollë në Bujanoc do të mbajë emrin “Ismail Kadare”

Një shkollë në Bujanoc do të mbajë emrin “Ismail Kadare”

Aktuale November 15, 2023 - 12:02

Kuvendi Komunal në Bujanoc ka votuar që shkolla e njërës nga fshatrat më të mëdha në Luginën e Preshevës të mbajë emrin e shkrimtarit Ismail Kadare.

Lajmi është konfirmuar nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu.

Lurfiu tha se tashmë është në dorën e Ministrisë së Arsimit në Serbi që emri i shkollës së fshatit Bilaç nga “Desanka Maksimoviq” të ndryshohet në “Ismail Kadare”.

“I falënderoj të gjithë këshilltarët që votuan për këtë ndryshim. Tani fjalën e fundit e ka Ministria e Arsimit. I bëj thirrje ministres që iniciativën për ndryshimin e emrit ta gjykojë drejt, duke pasur parasysh se propozimi i ri që shkolla të ketë emrin 'Ismail Kadare' është një nder edhe privilegj jo vetëm për shkollën dhe lokalitetin, pasi kemi të bëjmë me një shkrimtar të përmasave ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e kryetarit Lutfiu. /Zëri