Ankesa për “superpunën”, Qeveria nuk i ekzekutoi pagat për disa punëtorë

Ankesa për “superpunën”, Qeveria nuk i ekzekutoi pagat për disa punëtorë

Aktuale November 14, 2023 - 20:51

Dalmat Ismaili nga Ferizaj para 5 muajve u punësua përmes platformës qeveritare “Superpuna”. Por, jo gjithçka i shkoi siç e mendoi, pasi Qeveria nuk ia ekzekutoi pagën siç edhe e parashihte kontrata.

Për tërë këta muaj punë, ai u pagua vetëm një herë nga Qeveria.

Por jo vetëm ky, në rrjete sociale vazhdimisht publikohen ankesa të qytetarëve për mosekzekutim të pagave nga ana e Qeverisë, siç edhe e parasheh platforma.

Sidoqoftë, Qeveria vazhdimisht e vlerëson si sukses të madh çështjen e punësimeve përmes “Superpunës”.

Madje, sipas Ministrit të Financave, Hekuran Murati, deri më tani përmes kësaj platforme janë punësuar mbi 7.700 të rinj.

Por, sipas ekonomistëve këto shifra nuk janë të sakta dhe një platfromë e tillë nuk e zgjidh problemin e papunësisë.

E meqë kontrata është për gjashtë muaj, Dalmat Ismailit tani i ka mbetur vetëm dhe një muaj punë, teksa nuk di se çfarë do të bëhet më pas.

Sido që të jetë, Ministria e Financave nuk u përgjigj në pyetjet e televizionit lidhur me ankesat e qytetarëve, veçanërisht për mosekzekutim të pagesave.