Dëshmitari Shefqet Kabashi thotë se nuk e zbatoi urdhrin për ta vrarë Fadil Gashin dhe Din Berishën
Dëshmitari Shefqet Kabashi, gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) tha edhe pse u urdhërua që të vriste Fadil Gashin dhe Din Berishën, nuk e beri një gjë të tillë.
“Siç e thash edhe më parë, për mua jam rritur si shqiptar dhe ne nuk e bëjmë këtë gjë, ne nuk e vrasim njëri-tjetrin… jo thjeshtë të vrasës tjetrin sepse mendon ndryshe”, tha Kabashi duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Quick se a e ka ekzekutuar urdhrin për të vrarë Fadil Gashin.
Kabashi tha se e njëjta arsyeje si për Gashin ka qenë edhe për moszbatim të urdhrit për Din Berishën, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa herën e parë që kanë shkuar në Jabllanicë tek baza e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas urdhrit për vrasje nga Alush Gashi, dëshmitari Kabashi tha se ka parë atje disa persona duke përfshirë edhe Rexhep Selimin.
Kabashi tha se Rexhep Selimin e kanë njohur me nofkën “Dhjetëshi”.
“Ne e njihemi ne si ‘dhjetëshin’, por edhe njëherë tjetër ka qenë më përpara këtë herë që po flasim. Na kishin marrin në makinë dhe po shkonim në Drenicë me atë”, tha Kabashi.