Refuzohet kërkesa për hedhje të aktakuzës ndaj biznesmenit Ridvan Muharremi, i akuzuar për vjedhje të energjisë elektrike

Refuzohet kërkesa për hedhje të aktakuzës ndaj biznesmenit Ridvan Muharremi, i akuzuar për vjedhje të energjisë elektrike

Aktuale November 14, 2023 - 15:48

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hedhje të aktakuzës ndaj biznesmenit Ridvan Muharremi, lidhur me akuzën për vjedhje të energjisë elektrike.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në gusht të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj Muharremit për shkak të veprës penale “Vjedhje e shërbimeve” pasi që në furrën “Bukë e Zemër”, i njëjti e kishte shfrytëzuar njehsorët e energjisë elektrike pa autorizim të KEDS-it.

“Refuzohet kërkesa për hedhje të aktakuzës, e paraqitur nga i pandehuri R.M. e ushtruar kundër aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, …. të datës, 05.08.2023, si e pabazuar”, thuhet në vendimin e Themelores.

Në vendimin e Themelores, thuhet se mbrojtësi i të akuzuarit Muharremi, avokati Mahmut Halimi brenda afatit ligjor ka parashtruar kërkesë për hedhje të aktakuzës, me pretendimin se njehsori elektrik i vendosur në biznesin e tij ishte i bllombuar dhe i paprekur nga askush.

Mbi këto arsye, avokati Halimi ka kërkuar të hedhet aktakuza pasi që nuk është arritur që të vërtetohet dashja e të mbrojturit të tij për kryerjen e veprës penale “Vjedhje e shërbimeve”.

Pas analizimit të kërkesës së avokatit Halimi dhe përgjigjes në ankesë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Themelorja ka ardhur në përfundimin se duhet që të lëshohen në shqyrtim gjyqësor dhe pas administrimit të provave, do të vërtetohet fajësia ose pafajësia e të akuzuarit Muharremi.

Kujtojmë se Muharremi së bashku me dy zyrtarët e MINT, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, janë të dyshuar edhe në rastin e Aferës së Rezervave Shtetërore. /BetimipërDrejtësi