Ministri Vitia për Fitore Zenelajn: Do të jetë përherë frymëzim i tillë

Ministri Vitia për Fitore Zenelajn: Do të jetë përherë frymëzim i tillë

Aktuale November 14, 2023 - 15:21

Pas një beteje të gjatë me kancerin, ka vdekur infermierja Fitore Zenelaj.

Për vdekjen e saj, familjes i shprehu ngushëllime edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Vitia, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se ajo do të mbahet në mend dhe respektohet gjithmonë.

Sipas tij, infermierja luftoi me sëmundjen e saj, por mbi të gjitha i mësoi të tjerët se si të luftojnë.

“Gjallëria, entuziazmi e dashamirësia që rrezatonte Fitorja do të mungojnë në jetët e të gjithë atyre që patën rastin të punojnë me të, të trajtohen nga ajo dhe ata që e kishin pranë në jetën e tyre”, tha ai.

Vitia u shpreh i pikëlluar për vdekjen e infermieres, Fitore Zenelaj.

“Në vend të lamtumirës për Fitore Zenelajn. Njerëzit që luftojnë të paepur lënë pas frymëzimin për mosdorëzim. Fitorja do të jetë përjetë frymëzim i tillë”, shkroi ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.