Kurti: Shtatë policë po luftonin me dhjetëra paramilitarë në Banjskë, dhashë urdhër “zero viktima te civilët”
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dhënë detajet e fundit lidhur me sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Gjatë një diskutimi në Forumin Ekonomik të Vjenës, Kurti foli për telefonatën e parë që mori nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të dielën e 24 shtatorit. Fillimisht ai tha se i ka kërkuar Sveçlës saktësime për sa i përket lokacionit se ku po zhvillohej sulmi.
E me të marrë vesh që është afër Manastirit të Banjskës, kryeministri tha se ka urdhëruar që të ketë “zero viktima tek civilët, asnjë plumb nga policët tanë në muret e Manastirit dhe vetëm ashtu të luftohen terroristët”.
Kjo pasi sipas Kurtit kanë qenë dy mundësi mbi të cilat Serbia e ka nisur sulmin. E para nisja e një konflikti religjioz, teksa tjetra dërgimi i FSK-së në veri.
Ky sulm sipas Kurtit ka ardhur pas procesit të shtensinimit të situatës në komunat veriore të Kosovës.
“Për sa i përket 24 shtatorit, sulmit terrorist të asaj date, më duhet të them se ka ardhur pas shtensionimit. Në verë të këtij viti shtensionimi ndodhi. E përgjysmuam praninë e policisë në katër objekte komunale dhe në afërsi të tyre në katër komunat e veriut dhe pastaj ofruam një shteg ligjor drejt zgjedhjeve të hershme që do të rezultonte me zëvendësimin e kryetarëve shqiptarë me kryetar të tjerë. Neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje lokale në Kosovë parasheh që 20% të trupit elektoral apo zgjedhor duhet të ndërmarrin një peticion për të nxitur apo shkaktuar zgjedhjet e hershme, pra 50+1% mund ta shkarkojnë kryetarin”, tha ai gjatë fjalimit me temën “Kosova: Shteti i ri demokratik si peng i interesave gjeopolitike”.
Kurti përmendi vrasjen e policit Afrim Bunjaku, teksa rrëfeu se si vetëm shtatë policë kishin luftuar me grupin serbë deri në arritjen e njësive speciale të Kosovës atje.
Këta shtatë policë nuk i lanë terroristët serbë as që ta marrin trupin e policit të vrarë, thotë tutje Kurti.
“Pra kemi një shteg, e kemi shtensionuar situatën dhe mu atëherë disa dhjetëra terrorist të udhëhequr nga Milan Radojçiq, ish-zv.kryetar i Listës Serbe por është e qartë se është lideri real i asaj liste që është parë në aq shumë takime të nivelit të lartë në Beograd duke qenë i uluar afër presidentit Vuçiq, e ka udhëhequr këtë grup terrorist dhe ata vranë Afrim Bunjakun gjatë një prite afër Manastirit të Banjskës të shekullit të XIV të komunës së Zveçanit në orët e hershme të 24 shtatorit dhe pastaj shtatë polic tanët po luftonin me këta disa dhjetëra paramilitarë, ishin më të paktë në numër, derisa arritën forcat speciale. Por arritën që të mos e lejonin atë grup terrorist që ta merrnin trupin e atij polici, Bunjaku dhe kur filluam që të fitonim e braktisën atë vend edhe pse pra nuk kishte shumë të plagosur. Ky është një identitet tërësisht mercenar”, tha ai.
Kreu i ekzekutivit foli është mbi vlerën e pajisjeve ushtarake të konfiskuara nga Policia e Kosovës.
Vlerta e tyre sipas tij sillet rreth pesë milionë euro.
“Kemi konfiskuar mbi pesë milion euro në vlerë municion e pajisjeve ushtarake, granata dore, lansues raketash., 24 xhipa të blinduar, do të thotë armatim dhe municion për disa javë luftime për qindra luftëtarë”, tha ai, përcjell gazeta Express.
E arsyeja e sulmit, sipas kryeministrit ishte shkaktimi i një konflikti më të madh.
“Pra na kishin sulmuar për të shkaktuar konflikt më të madh. Për mendimin tim ata po shpresonin që ne do ta sulmonim Manastirin dhe kishte disa pelegrinë aty,. Kishte edhe priftërinj ortodoks. Gjëja e parë që më ra në mendje kur ministri i Brendshëm më thirri diku rreth orës 04:00 të mëngjesit , të dielën e 24 shtatorit dhe e pyeta se ku po ndodh dhe tha se është afër një Manastiri, është pra Sarajevë më 1 mars që aty ka filluar me plagosjen e një peshkopi ortodoks dhe vrasjen e babait të dhëndrit në atë ceremoni. Të gjithë mënon që prifti ishte i vdekur por më vonë u pa që ai ishte plagosur. Por kjo është përpjekja për t’i dhënë hijen fetare këtij konflikti. Siç e thotë Churchilli, gjithmonë me ironi, nëse don që konflikti të mos përfundojë kurrë bëje fetar, religjioz”, tha ai.
E lajmin për këtë sulm, Kurti tha se e mori nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në 4:00 të mëngjesit.
“Urdhri im për ministrin e Brendshëm ishte, zero viktima tek civilët, asnjë plumb nga policët tanë në muret e Manastirit dhe vetëm ashtu të luftohen terroristët. Besoj që plani B i Serbisë do të ishte që kur të vërenim që ishim më të pakët në numër ndaj këtyre paramilitarëve, do ta urdhëroja ushtrinë e Kosovës që ta kalonte lumin Ibër, në shkelje ndaj zotimit që paraardhësi im para dhjetë vitesh, i kishte dhënë sekretarit të përgjithshëm atij të NATO-s në atë kohë, që FSK-ja nuk do ta kalonte lumin Ibër pa miratimin e NATO-s. Këta dy skenar besoj i kanë menduar që do të zbatohen. Ose të kthehet në konflikt fetar, posë kur ushtria jonë do ta kalonte lumin Ibër, atëherë Serbia do t’i thoshte KFOR-it ose ju ndaleni ushtrinë në Ibër ose do të hyjmë ne. Pra Serbia do të hynte në luftë në Kosovë. Asnjëri prej këtyre planeve nuk u zbatua dhe dolëm fitimtar”, tha ndër të tjera kryeministri.
E tash Kurti pret që të bëhet ekstradimi i grupit të Milan Radoiçiqit në Kosovë.
“Çfarë na duhet tani. Është ekstradimi i këtij grupi të Milan Radoiçiqit. Ai është paraburgosur për pak orë dhe është liruar menjëherë”, tha ai. /express