LDK-ja e publikon këngën për Kuvendin e dhjetë, Bislimi kundërkandidat i Abdixhikut për drejtimin e partisë

LDK-ja e publikon këngën për Kuvendin e dhjetë, Bislimi kundërkandidat i Abdixhikut për drejtimin e partisë

Aktuale November 14, 2023 - 08:20

Lidhja Demokratike e Kosovës do ta mbajë Kuvendin e dhjetë më 19 nëntor, ndërkaq deri tani kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kundërkandidat për drejtimin e partisë do të ketë Faton Bislimin.

Kandidaturën për drejtimin e partisë Bislimi e ka bërë të ditur ditë më parë, gjersa pak ditë para mbajtjes së Kuvendit për zgjedhjen e kryetarit të LDK-së është publikuar kënga e partisë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka publikuar një këngë me videoklip, përmes së cilës thotë se “Rruga e re LDK-së po nis”.

Abdixhiku po ashtu ka paralajmëruar mbajtjen e Kuvendit dhe Konventës së LDK-së.

“Drejt përgatitjeve finale. Ejani këtë të diel, më 19 nëntor, në Prishtinë”, shkruan ai.

“Rruga e Re po nis. Faleminderit Shpat Dedës, Armend Xhaferit, Rema Canollit e djemve e vashave të Korit të Kosovës për këtë kryevepër; për Lidhjen dhe Rrugën e Re”.

Ndërsa kënga ka këto vargje:

Zemrën e kam hapë

T’ardhmen me përqaf

Ëndrrat që me breza ndër vite i kemi pas.

Besën ta kam dhanë

Rrugën për me ça

Era e ndryshimit po fryn

E dora dorën e ka kapë.

Rruga e re po hapet

Po lulëzon

Shtigjet bashkë i ndërtojmë.

T’fortë kur jemi hapi s’ndalet

Po marshojmë

Lidhjes i besojmë.

Rrugën e kam marrë

Vendit zot me i dalë

Flakën e themeleve tona

Me mbajt gjallë.

Besën ta kam dhanë

Rrugën për me ça

Era e ndryshimit po fryn

E dora, dora me dorë asht kapë.

ëFaton Bislimi, kundër-kandidat i Lumir Abdixhikut për kryetar të LDK-së

Faton Bislimi do të jetë kandidat për pozitën e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në kuvendin e dhjetë që do të mbahet më 19 nëntor.

Vetë Bislimi ka bërë të ditur se beson fuqishëm në LDK-në e vlerave themeltare dhe idealeve kombëtare të trasuara nga Presidenti Rugova.

“Sot, kam njoftuar Kryesinë e LDK-së në Prishtinë, përmes një shkrese zyrtare, se në bazë të Nenit 8.1, Nenit 16.2 dhe Nenit 25, të Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kam vendosur që në Kuvendin e Dhjetë të LDK-së që do mbahet më 19 nëntor 2023, do të paraqes para delegatëve kandidaturën time për Kryetar të LDK-së”.

“Unë besoj fuqishëm në LDK-në e vlerave themeltare dhe idealeve kombëtare të trasuara nga Presidenti Rugova”, tha ai.

Ky vendim, thotë Bislimi vjen “jo vetëm si vazhdimësi e angazhimit të tij për vendin dhe gatishmërisë për t’i shërbyer familjes së madhe të LDK-së së vërtetë, por edhe si përgjigje ndaj krejt atyre që kanë filluar të humbin shpresën për një LDK që kishin dashur e kanë aspiruar, si dhe atyre që asnjëherë nuk rreshtin së përkrahuri vizionin e përpjekjen time për LDK-në”, u shpreh ai.

“Siç e pata theksuar edhe në letrën time të dorëheqjes nga Kryesia e LDK-së më 24 maj 2023 (e cila nga eksponentë të caktuar u mundua të paraqitej rrejshëm si dorëheqje e imja nga LDK-ja), unë kam vazhduar të kem vizion të palëkundur për një LDK që i qëndron besnike vlerave rugoviste, për një LDK që shpërfaqë e praktikon djathtizmit autentik kombëtar si dhe një LDK që e sheh secilin aktivist e aktiviste, të mëparshëm apo të tanishëm, si hisedarë e jo si shërbëtorë të partisë.

Si atëherë, ashtu edhe tani, unë zgjedh LDK-në e idealeve dhe pragmatizmit politik, jo atë të interesave personale e grupore; LDK-në e atyre që sakrifikuan e nuk u lodhën asnjëherë së punuari për liri, demokraci e pavarësi; LDK-në e vlerësimit dinjitoz të figurave themeltare e të të rënëve të saj; LDK-në e miqësisë permanente me SHBA-të; dhe mbi të gjitha, LDK-në e aktivistëve e kontributdhënësëve, jo atë të titullarëve! Për këtë LDK, ofroj gjithçka nga vetja ime”.

Dorëheqja e nga Kryesia e LDK-së, thotë Bislimi ishte akt moral dhe paralajmërim i drejtpërdrejtë që rruga që kishte zgjedhur LDK-ja nën këtë udhëheqësi ishte e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat themeltare dhe idealet kombëtare për të cilat do duhej të qëndronte LDK! Tani që po i afrohemi Kuvendit të Dhjetë Zgjedhor, po afrohet edhe momenti i mundësisë së rikthimit të LDK-së tek këto vlera e ideale!

“Në një kohë kaq kruciale për shtetin tonë, LDK-ja ka rol esencial dhe historik, ashtu siç kishte në të kaluarën kur ishte bërë kurriz i ruajtjes së qenies kombëtare shqiptare në Kosovë, si dhe themel i procesit të shtet ndërtimit, lirisë e pavarësisë. Sukseset më të mëdha e më meritore të LDK-së janë shënuar kur ajo është udhëhequr nga dashuria vetëmohuese për shtetin”.