Çka u fol për Kosovën në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor?
Foto: European Council

Çka u fol për Kosovën në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor?

Aktuale November 14, 2023 - 08:11

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian dje kanë mbajtur një takim bashkë me ministrat e jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në mesin e tyre edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, e cila ka kërkuar nga blloku evropian të reagojë më shpejt ndaj agresionit të grupit serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

“Në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së u kërkova kolegëve të mi që të reagojnë qartë dhe me shpejtësi ndaj aktit agresiv të Serbisë nga 24 shtatori, në mënyrë që të parandalohet përshkallëzimi i radhës”.

“Ne kemi nevojë që BE-ja të rimendojë dhe rivlerësojë politikën e saj të sigurisë”, tha Gërvalla në platformën X.

Pos saj, detaje lidhur me këtë takim ka bërë edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i cili ka qenë drejtues i këtij takimi.

Ai ka thënë se BE-ja dëshiron që të avancojë integrimin e rajonit në vendimmarrjen evropiane, duke përfshirë politikën e jashtme dhe të sigurisë.

“Vendi i Ballkanit Perëndimor është në BE”, ka thënë Borrelli.