Borrell: Para anëtarësimit Ballkanin ta integrojmë në procesin vendimmarrës
Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i cili e kryesoi takimin e sotëm në Bruksel ndërmjet ministrave të jashtëm të shteteve të Bashkimit Evropian me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor, tha se BE-ja dëshiron ta integrojë Ballkanin edhe para anëtarësimit të tyre të plotë.
Borrelli në një reagim në platformën X (Twitter) tha se Bashkimi Evropian i konsideron vendet e Ballkanit Perëndimor si partnerë të besueshëm në politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.
“Sonte po kryesoj takimin ministror BE - Ballkani Perëndimor, me gjashtë ministra nga ai rajon. Ne duam ta integrojmë rajonin në procesin tonë të vendimmarrjes edhe para anëtarësimit, duke përfshirë vendimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Vendi i Ballkanit Perëndimor është në BE”, ka thënë Borrelli në X.
Në këtë takim vendet e Ballkanit u përfaqësuan nga shefat e diplomacive, ndërsa kujtojmë se nga gjashtë vendet e Ballkanit, tre ministrat ishin shqiptar: Donika Gërvalla e Kosovës, Igli Hasani i Shqipërisë dhe Fatmire Isaki nga Maqedonia e Veriut.
Ndryshe, pas takimit të ministrave të punëve të jashtme, Borrelli theksoi rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit të fortë me partnerët nga Ballkani Perëndimor me qëllim të ndërtimit të qëndrueshmërisë dhe promovimit të paqes dhe stabilitetit në kontinent.
Qëllimi i takimit ishte intensifikimi i mëtejshëm i angazhimit të Bashkimit Evropian me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, me theks në sfidat e përbashkëta të sigurisë, të cilat përfshijnë "ndërhyrja e huaj dhe manipulimi i informacionit; kërcënimet kibernetike dhe pasojat e Rusisë pas agresion kundër Ukrainës”, deklaroi Këshilli i BE-së.