Pse po rriten dorëheqjet nga institucionet publike?
Pagat e ulëta e kushtet jo të mira të punës, gjatë këtij viti vlerësohet se kanë detyruar qindra zyrtarë publikë të japin dorëheqje. Mbi 300 të tjerë vlerësohet se kanë kërkuar nga një vit pushim pa pagesë. Vetëm për 10 muaj rreth 150 mjekë kanë kërkuar dokumentet e nevojshme për t’u larguar nga Kosova, derisa 86 policë, dhjetëra zyrtarë korrektues e zyrtarë tjerë kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre.
Qindra zyrtarë publikë vetëm gjatë këtij viti kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre, e qindra të tjerë kanë kërkuar pushime njëvjeçare pa pagesë. Kërkesa të tilla janë bërë nga policët, mjekët, zjarrfikësit, mësimdhënësit e shumë zyrtarë tjerë.
Edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës e kanë konfirmuar jozyrtarisht për RTK-në se kanë pranuar disa kërkesa për dorëheqje.
Për kërkesat për pushim pa pagesë, sindikalistët kanë ngritur shqetësime se këta zyrtarë po synojnë që të shkojnë jashtë vendit për të punuar.
“Diku 300 kërkesa kanë qenë për pushim 1 vjet pa pagesë, këtë pushim e kërkojnë që të shkojnë jashtë ose diku tjetër dhe nëse rehatohen atje, nuk do t’i kthehen arsimit”, tha Rrahman Jasharaj.
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thonë se ekzekutivi është dashur të konsultohet me sindikatat në lidhje me kërkesat për pagat e zyrtarëve publikë.
Nga Qeveria e Kosova nuk janë prononcuar për RTK-në dhe për veprimet që po i ndërmarrin ndaj këtij fenomeni.