Skenat e braktisura të krimeve të luftës
Rreth 24 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, shtëpia e familjes së Arben Gashit në fshatin Landovicë vazhdon t’i ruajë gjurmët e krimit të forcave serbe.
Më 26 mars të vitit 1999, kur ato sulmuan këtë fshat të komunës së Prizrenit, një nga caqet ishte shtëpia e familjes Gashi, ku ishin strehuar edhe dy familje të tjera, Morina dhe Qerreti.
Arbeni, që asokohe ishte 16 vjeç, duke folur për Radion Evropa e Lirë, rikujton ngjarjen që i ka mbijetuar.
“Nga asfalti, në rrugën Prizren-Gjakovë, na kanë bombarduar. Ka mbetur e vrarë Njomëza Morina, 14-vjeçare. Në momentin që është vrarë Njomëza, ne kemi dalë nga shtëpia që të afrohemi dhe të hyjmë në pyll. Në momentin që kemi dalë nga shtëpia, na kanë bombarduar me të gjithë artilerinë që e kanë pasur dhe kanë mbetur të vrarë edhe 13 të tjerë dhe të plagosur 12”, rrëfen Arbeni.
Në mesin e të vrarëve kishte fëmijë nën një vjeç dhe të moshuar mbi 70 vjeç.
Arbeni thotë se trupat e pajetë janë marrë nga forcat serbe dhe se 12 prej tyre janë gjetur në një varrezë masive në Batajnicë, afër Beogradit, në vitin 2004.
Njomëza Morina dhe Nazmie Qerreti, të vrara në këtë sulm, vazhdojnë të jenë të zhdukura, ashtu si edhe mbi 1.600 persona të tjerë nga lufta e viteve 1998-1999.
Për këtë rast, Fondi për të Drejtën Humanitare ka ngritur kallëzim penal në dhjetor të vitit 2013 kundër disa personave, me dyshimin se kanë kryer krime të luftës kundër popullatës civile. Por, sipas Bekim Blakajt nga ky fond, prokuroria në Serbi nuk ka ngritur ndonjë padi.
Shtëpia nuk u vizitua nga institucionet
Vrimat në muret e shtëpisë së familjes Gashi, të shkaktuara nga predhat e tankeve dhe municionet e kalibrit të rëndë, nuk janë mbyllur asnjëherë. E shembur nga predhat është edhe një pjesë e çatisë së shtëpisë.
Arbeni thotë se shtëpia është ruajtur ashtu, për të mos u zhdukur provat.
Por, sipas tij, askush nga institucionet e shtetit - as të nivelit lokal, as të nivelit qendror - nuk i ka evidentuar ato prova. Madje, askush nuk e ka vizituar fare shtëpinë, sipas tij.
“Shtëpia ka mbetur sot e atë ditë. Nuk kemi marrë asnjë veprim ne, si familjarë, as për shkatërrimin e saj... që ta ruajmë për shtetin, që të shihet se çka ka ndodhur këtu. Por, institucionet shtetërore nuk kanë ndërmarrë asgjë”, thotë Arbeni.
Jetësimi i Institutit përmes ligjit
Kjo situatë mund të ndryshojë. Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij po e jetëson Institutin për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe në krye të tij ka emëruar Atdhe Hetemin.
Hetemi “do t’i prijë këtij procesi të rëndësishëm”, ka thënë Kurti më 8 nëntor.
“Duke i dokumentuar krimet dhe dëmet e luftës, ne edhe e ndajmë dhembjen, por edhe e bëjmë më gjerësisht të njohur historinë tragjike të shqiptarëve të Kosovës, në raport me Serbinë kriminale”, ka thënë me atë rast kryeministri.
Ligji për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë ka hyrë në fuqi në korrik të këtij viti, por është një ndërmarrje që ka nisur qysh në vitin 2020.
Dispozitat e ligjit do të zbatohen me qëllim të, siç thuhet, “kryerjes së hulumtimit dhe dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, nga 1 janari 1998 deri më 20 qershor 1999”.
Kjo periudhë përshkruhet si “periudhë e luftës”. Por, ligji gjithashtu përcakton që hulumtimi dhe dokumentimi i krimeve “mund të aplikohet edhe mbi krimet e kryera pas periudhës së luftës, të ndërlidhura me luftën, jo më vonë se me datën 31 dhjetor 2000”.Radio Evropa e Lirë kontaktoi drejtorin e emëruar të Institutit, Atdhe Hetemi, në lidhje me punët që e presin institucionin që ai do të drejtojë dhe mënyrën se si do të funksionojë, por tha se nuk është i gatshëm të japë përgjigje “së paku edhe për disa ditë”.
Kërkesës së REL-it për koment nuk iu përgjigjën as nga Qeveria e Kosovës.
“Skena krimesh të pashënuara ka shumë”
Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Prishtinë - organizatë e pavarur, e cila merret me dokumentimin e fakteve që ndihmojnë shoqërinë kosovare të ballafaqohet me të kaluarën e saj të dhunshme - thotë se raste të ngjashme, sikurse ai i shtëpisë së familjes Gashi në Landovicë, ka mjaft në Kosovë.
“Ta them thjesht, në secilin kënd, në secilën rrugë nëpër të cilën lëvizet nëpër Kosovë, hasim në vende ku ka pasur shkelje masive të të drejtave të njeriut, ka pasur krime të rënda, ka pasur vrasje, varreza masive gjithandej. Pothuajse, të gjitha këto kanë mbetur të pashënuara. Edhe sot njerëzit kalojnë afër tyre dhe nuk e dinë se çka ka ndodhur. Por, është numër jashtëzakonisht i madh”, thotë Blakaj për Radion Evropa e Lirë.
Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, tani në pension, e konsideron si vazhdimësi të Institutit për hulumtimin e krimeve të luftës, që është krijuar për herë të parë në vitin 2011, me një dekret të kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi.Profesor Salihu thekson se instituti i mëparshëm, të cilin e ka drejtuar vetë, është ballafaquar me mjaft vështirësi për të siguruar infrastrukturë, buxhet dhe ekspertë të duhur.
Por, “për ironi”, instituti është mbyllur në vitin 2018, kur në krye të Qeverisë së Kosovës ka qenë Ramush Haradinaj, thotë Salihu.
Sipas tij, mosveprimi i institucioneve të shtetit është “i pakuptueshëm”.
Ai thotë se, edhe 24 vjet pas përfundimit të luftës, Kosova mbetet larg ndriçimit, evidentimit dhe dokumentimit të të gjitha krimeve të luftës dhe vendeve ku kanë ndodhur ato.
Këto, sipas Salihut, do të jenë sfida për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, i cili, për dallim nga ai i vitit 2011, është formuar mbi bazën e një ligji të veçantë.
“Ky institut duhet të jetë hulumtues shkencor. Mirëpo, nuk është e ndaluar që të dhënat, faktet, provat, të cilat do të mblidhen, do të sistemohen në këtë institut, t’i shfrytëzojnë edhe organet e ndjekjes - policia, prokuroria, gjykatat e të tjera”, thotë Salihu.
Ai shton se, në bazë të së Drejtës Penale Ndërkombëtare, krimet e luftës nuk vjetrohen apo nuk parashkruhen.Këtë aspekt të së Drejtës Penale Ndërkombëtare e ka përmendur edhe kryeministri Kurti në ditën që ka emëruar udhëheqësin e Institutit.
“Kriminelët e luftës duhet të nxirren para drejtësisë. Serbia duhet të mbahen përgjegjëse për krimet e kryera në Kosovë. Ato nuk parashkruhen”, ka thënë Kurti.
“Krimet e luftës nuk vjetrohen, por dëshmitarët vdesin”
Megjithatë, Salihu dhe Blakaj thonë se institucionet e vendit kanë humbur gati një çerek shekulli për t’i evidentuar dhe dokumentuar të gjitha krimet e luftës.
Ndërkohë, disa nga vendet ku kanë ndodhur ato, objektet private apo publike, kanë pësuar ndryshime nga koha ose janë rindërtuar nga vetë pronarët.
Kjo situatë, sipas Blakajt, do të jetë sfidë jo vetëm për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, por edhe për drejtësinë.
“Krimet e luftës nuk parashkruhen, por dëshmitarët vdesin. Vdesin edhe ata kryerësit e krimeve dhe familjet e viktimave, gjeneratat e reja nga ato familje mbesin pa drejtësi. Kështu që, nuk duhet të na kënaqë fakti se nuk vjetrohen krimet e luftës”, thotë Blakaj.
Ai shton se Instituti për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, nuk e ka mandat ndjekjen penale të kryerësve të krimeve të luftës, por gjetjet e këtij instituti mund të shërbejnë si prova rrethanore në proceset e ndryshme gjyqësore.
Çfarë ka bërë instituti i mëhershëm?
Instituti i mëhershëm për hulumtimin e krimeve të luftës, të cilin gjithashtu e ka formuar Qeveria e Kosovës, gjatë punës së tij ka publikuar tetë libra për vrasjet, për personat e pagjetur, për gjenocidin serb, si dhe për shkatërrimin e monumenteve dhe pronave të shqiptarëve.
Gjetjet nga hulumtimet, sipas Salihut, janë botuar në gjuhën shqipe dhe angleze, me “mbështetje shumë të dobët” nga qeveritë e asokohshme.
Mbyllja e institutit është bërë “me qëllim të reformimit të administratës së gjyqësorit”, sipas një deklarate të mëhershme të Salihut.
Por, zyrtarë të Qeverisë së tanishme kanë thënë se problem i institutit të mëparshëm ka qenë baza e dobët dhe formimi i tij përmes vendimeve pa strategji operacionale.
Sipas të dhënave të publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë mbi 13.500 persona - 76 për qind e të cilëve besohet se kanë qenë civilë. Për më shumë se 1.600 persona të zhdukur në luftë vazhdon kërkimi.