Faton Bislimi do të paraqesë kandidaturën për kryetar të LDK-së
Foto: Arkiv

Faton Bislimi do të paraqesë kandidaturën për kryetar të LDK-së

Aktuale November 13, 2023 - 20:49

Faton Bislimi ka njoftuar se do të paraqesë kandidaturën për kryetar të kësaj partie në Kuvendin e Dhjetë të LDK-së që do mbahet më 19 nëntor 2023.

Bislimi ka thënë se ky vendim vjen jo vetëm si vazhdimësi e angazhimit tim për vendin dhe gatishmërisë për t’i shërbyer familjes së madhe të LDK-së së vërtetë, por edhe si përgjigje ndaj atyre që kanë filluar “të humbin shpresën për një LDK që kishin dashur e kanë aspiruar”.

“Siç e pata theksuar edhe në letrën time të dorëheqjes nga Kryesia e LDK-së më 24 maj 2023 (e cila nga eksponentë të caktuar u mundua të paraqitej rrejshëm si dorëheqje e imja nga LDK-ja), unë kam vazhduar të kem vizion të palëkundur për një LDK që i qëndron besnike vlerave rugoviste, për një LDK që shpërfaqë e praktikon djathtizmit autentik kombëtar si dhe një LDK që e sheh secilin aktivist e aktiviste, të mëparshëm apo të tanishëm, si hisedarë e jo si shërbëtorë të partisë. Si atëherë, ashtu edhe tani, unë zgjedh LDK-në e idealeve dhe pragmatizmit politik, jo atë të interesave personale e grupore; LDK-në e atyre që sakrifikuan e nuk u lodhën asnjëherë së punuari për liri, demokraci e pavarësi; LDK-në e vlerësimit dinjitoz të figurave themeltare e të të rënëve të saj; LDK-në e miqësisë permanente me SHBA-të; dhe mbi të gjitha, LDK-në e aktivistëve e kontributdhënësëve, jo atë të titullarëve! Për këtë LDK, ofroj gjithëçka nga vetja ime!”, ka shkruar Bislimi.

Ai ka thënë se dorëheqja e tij nga kryesia ishte akt moral dhe paralajmërim i drejtpërdrejtë që rruga që kishte zgjedhur LDK-ja nën këtë udhëheqësi ishte e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat themeltare dhe idealet kombëtare për të cilat do duhej të qëndronte LDK.

Bislimi është shprehur se beson në vlerat e përbashkëta që duhet të ofrojë LDK-ja.

“Besoj dhe angazhohem për secilin që e sheh LDK-në si strumbullar të zhvillimeve pozitive për shtetin dhe kombin. Besoj në vendin meritor dhe vlerësimin adekuat që duhet dhënë për secilin që nuk kurseu asgjë nga vetja për të mirën e vendit përmes LDK-së. LDK-ja e vërtetë është ndërtuar e mbajtur nga puna vullnetare e aktivistëve të saj, nga kontributdhënësit e përkrahësit pa asnjë kusht, nga ai mësuesi e ajo mjekja që punonin pa kompenzim, nga ai ushtari i lirisë që luftën e bënte për shtet e jo për pushtet, nga ata mërgimtarët tanë që ndanin jo vetëm kafshatën e gojës por edhe gjithëcka tjetër që u kërkohej, vetëm e vetëm për ta mbajtur në këmbë idenë e shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës. E kjo ide ishte frymëzimi i krejt Kosovës. Kjo ide e lirisë e pavarësisë, anipse fillimisht dukej e pamundur, u bë realitet, u arritë nën lidershipin e Presidentit Rugova dhe njerëzve më intelektualë e të urtë të kohës, disa prej të cilëve, fatkeqësisht, u likuiduan mizorisht nga dorë e zezë antikombëtare edhe pas agut të lirisë”, ka shkruar ai.

Sipas tij, LDK nuk rritet e ringritet duke anashkaluar, përjashtuar, e përbuzur, por duke përbashkuar, respektuar, e mirënjohur secilin që ndanë besimin për të.

“Derisa të panjohurat e së nesërmes na sjellin dilemat e tanishme, e kaluara na jep mësimet. Të frigohemi nga shpërfaqja e bindjeve tona të përzemërta është të mohojmë vetën. Të ruajmë të mbyllura në vete qoftë kontradiktat apo edhe dashamirësitë është devijuese ndaj progresit njerëzor e po ashtu edhe politik. Në dallime e kundërshti nuk duhet ligështuar; përkundrazi, duhet frymëzuar. Të definohemi nga ajo që na përbashkon është shumë më frutdhënëse sesa nga ajo që na dallon. Unitet në dallime – është vlera më e rëndësishme e busollës së orientimit tim politik. Andaj, 19 nëntori është shanci, ndoshta edhe i fundit, për ruajtjen e LDK-së se vlerave themeltare dhe idealeve kombëtare. Për secilen e secilin që përnjëmend ka besuar e beson në këto vlera e ideale, zgjedhja do jetë e lehtë atë ditë. Vetëm një LDK e tillë do të mund të sfidojë në mënyrë triumfaliste narrativën e atyre që përmes populizmit të skajshëm e pseudonacionalizmit kapën majat e pushtetit. E ky është shërbimi më i madh që do i bënim vendit, shtetit dhe gjeneratave të ardhëshme”, ka shtuar Bislimi.