Humolli: Kurti të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja

Humolli: Kurti të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja

Aktuale November 13, 2023 - 17:51

Deputeti i pavarur, Fatmir Humolli, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Pos kësaj, ai ka shprehur domosdoshmërinë e involvimit të Tiranës në Kosovë.

“Kryeministri është dashur sot të vijë nga Vjena dhe të japë dorëheqje e të shkojë në zgjedhje të reja. E vetmja zgjidhje për t’i pushuar gjërat në kuptimin negativ e atëherë duhet të kërkojë nga qytetarët duke i sqaruar qytetarin saktë për rrugën që duhet bërë drejt zgjedhjes së problemit definitiv. Ky problem nuk ka mundësi të zgjidhet drejt me qasjen e tanishme, me presionin që po bëhet nga BE-ja”, tha Humolli.

“Paqe në Kosovë mund të sjellë vetëm zgjedhja e problemit që duhet të diskutohet problemi shqiptaro-serb. Ne kemi problem me politikën hegjemoniste serbe si shqiptarë. Tirana e ka obligim të involvohet, e ka obligim kushtetues dhe obligim kombëtar kurse klasa jonë politike bën përpjekje ta eliminojë Tiranën. Kur nuk e fut në funksion mekanizmin tënd, energjinë tënde është normale që nuk mund të presësh rezultate pozitive. Mospërgatitjen e klasës sonë politike po e shfrytëzon mirë shteti serb”, ka thënë ai.

Sipas tij, BE-ja po dëshmohet se është “e pazoja të krijojë paqe në Ballkan”.

“Është parë me ish-Jugosllavinë që nuk ka qenë e gatshme që të përballet me vështirësitë që të mos krijohen luftëra të reja në Ballkan kurse tash është duke krijuar rrethana të reja për konflikte të reja në Ballkan. Nuk janë të interesuar që të gjejnë problemet në mënyrë paqësore. Po i ndihmojnë hegjemonisë serbe, po ndihmojnë me politikë pansllaviste që e fuqizon hegjemoninë e kishës ortodokse serbe”.

Teksa pyetet për presionin, Humolli thotë se “në vitet e 90-ta klasa jonë politike ka pasur dëshirë të gjejë problemin në mënyrë paqësore duke besuar te BE-ja dhe SHBA-ja… por klasa jonë politike që ka qenë e koordinuar me Bashkësinë Ndërkombëtare e ka lënë popullin tonë të paarmatosur edhe psiqikisht edhe materialisht për luftëne  UÇK-së, edhe sot është po kjo situatë”.

Ai e konsideron qasje të gabuar, lobimin për presion të BE-së ndaj Serbisë.

“Sot kur e kam parë në kuvend duke bërë gara politike që të realizohet Asociacioni, duke e parë kryeministrin tonë duke lobuar që të bëjë presion Serbisë për ta realizuar Asociacionin, d.m.th lobohet prej njerëzve tanë në BE që t’i bëjë presion Serbisë, është qasja e gabuar politike e cila e sfidon Bashkësinë Ndërkombëtare që nuk di se çka të bëjë me këtë klasë tonë politike”./dukagjini