Ndeshja Kosovë – Izrael në aspektin e sigurisë kaloi pa incidente
Policia e Kosovës njofton se ndeshja sportive, e luajtur mbrëmë, në mes të Kombëtares së Kosovës dhe Izraelit për kualifikime në “Euro 2024”, vlerësuar në aspektin e sigurisë, ka kaluar e qetë dhe pa ndonjë incident që ka cenuar sigurinë publike dhe mbarëvajtjen e ndeshjes sportive.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me FFK-në dhe akterët relevantë, ashtu siç e ka bërë të ditur me kohë, ka bërë planifikimet e saj operacionale për menaxhimin dhe mbarëvajtjen sa më të mirë të kësaj ndeshjeje sportive, duke u kujdesur për ofrimin e sigurisë që nga ardhja e Kombëtares së Izraelit në Republikën e Kosovës e deri në kthimin e saj për në Izrael.
“Policia e Kosovës falënderon qytetarët, mediat dhe të gjitha institucionet për bashkëpunimin korrekt me Policinë e Kosovës, të cilët janë pjesë e meritës që ky event sportiv të kalojë i qetë dhe pa incidente”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.