Analistët: Nëse është zyrtar, ky statut i Asociacionit legalizon strukturat paralele në veri
Foto: Laura Hasani

Analistët: Nëse është zyrtar, ky statut i Asociacionit legalizon strukturat paralele në veri

Aktuale November 12, 2023 - 22:23

Analistët vlerësojnë se kompetencat që ia atribuon Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, draft-propozimi i publikuar, në rast se është zyrtar, është shqetësues.

Sipas tyre, kjo vërehet sidomos në mundësinë që i jepen Serbisë të funksionojë brenda shtetit të Kosovës, në arsim, shëndetësi, financim dhe donacione.

“Ka kompetenca të plota në komunat ku do të menaxhojë në shëndetësi, arsim, kujdes social, ndërtimin e infrastrukturës, do të kujdeset edhe për objektet banesore për të kthyerit apo për ata që kanë nevojë për ndihmë sociale”, ka thënë për RTK-në analisti Fidan Ukaj.

Vlerësohet se ky draft legalizon strukturat paralele në veri të vendit.

“Ka me pas një diskrepancë mes komunave dhe këtij Asociacioni, politikisht do të jetë fuqia më e madhe pavarësisht që s’e ka juridikisht. Neni 12, 13 dhe 14 do të jenë problematik të zbatohen në praktikë”, ka thënë Dritëro Arifi, njohës i çështjeve politike.

Njohësit deklarojnë se nëse ky draft pranohet me këtë përmbajtje, Kushtetuesja do ta kthejë prapa.

Në këtë dokument të publikuar, shkruan se ky Asociacion do të veprojë si forum për bashkëpunim dhe koordinim ndërkomunal dhe se përbëhet nga disa organe, si Kuvendi, Presidenti, Bordi, Këshilli Këshillëdhënës, Administrata e zyra e ankesave.

Sipas këtij dokumenti, selia e Asociacionit do të jetë në Mitrovicën e Veriut, përpos nëse komunat anëtare vendosin ndryshe.

Pas konfirmimit se më 21 Tetor në Prishtinë, emisarët euro-amerikanë e sollën një draft mbi asociacionin, janë publikuar disa versione të mundshme të tij, ta cilat janë demantuar nga zyrtarët, përfshirë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.