“Termokos”-i synon faturimin me matësit shpenzues nga viti i ardhshëm

“Termokos”-i synon faturimin me matësit shpenzues nga viti i ardhshëm

Aktuale November 12, 2023 - 11:51

Furnizimi me ngrohje nga Termokosi edhe sivjet pritet të jetë i kënaqshëm - thonë nga kjo kompani. Sikurse vitin e kaluar, edhe sivjet, pagesa do të jetë në bazë të metrit katror dhe jo sipas matësve, për shkak se ende nuk janë vënë në funksion matësit.

Edhe sivjet qytetarët e Prishtinës do të furnizohen me ngrohje nga qyteti, përkatësisht nga Termokosi, por me tarifë fikse në bazë të metrave katrorë.

“Jo të gjitha banesat po ngrohen njëjtë. Është shumë më e arsyeshme që atë që e shpenzojmë ta paguajmë e jo me të vijë fatura paushall edhe nëse nuk e shfrytëzojmë të na faturohet. Kjo më duket e paarsyeshme”, i tha RTK-së Ismail Jakupi banor i Prishtinës.

''Mendoj që është goxha mirë për arsye se banorët dhe njerëzit që kanë lokale e paguajnë ngrohjen aq sa shpenzojnë. Me sa e di ky është edhe qëllimi i matësve që vendosen nga ana e Termokosit, edhe pse ende nuk janë në funksion'', tha Guxim Osmani, një tjetër banor i kryeqytetit.

E nga Termokosi thonë se forma e aplikimit të pagesës sipas shpenzimit do të nisë vitin e ardhshëm.

''Ky është synimi jonë parësor. Planifikojmë dhe do të bëjmë gjithçka të mundur që kjo fazë testuese që do të realizohet gjatë këtij sezoni ngrohtës të përfundojë si është më së miri që të jemi të gatshëm dhe të kemi një pasqyrë reale që na mundëson që të kalojmë më tutje që nga sezoni i ardhshëm 2024-2025 të fillojmë me faturimin sipas shpenzimit'', ka theksuar Afërdita Uka, zëdhënëse e Termokosit.

Ndër të tjera ajo shton se ka qenë e domosdoshme një fazë testuese për funksionimin e këtyre pajisjeve dhe mbledhjes së të dhënave për ndryshimin nga sipërfaqja ngrohëse e brendshme banesore te kalimi i metodës së re të shpenzimit të konsumimit.

Ngrohtorja e qytetit Termokos furnizon me ngrohje rreth 20 mijë njësi banesore në Prishtinë dhe fillon ngrohjen nga 15 tetori e deri më 15 prill./rtk