Trashëgimia kulturore në luftë me zjarret

Trashëgimia kulturore në luftë me zjarret

Aktuale November 12, 2023 - 10:18

Muret, shkallët dhe disa dyer e dritare i kanë rezistuar zjarrit të madh, ndoshta për të mbetur dëshmia e vetme për vjetërsinë qindravjeçare të objektit.

Kulmi, i cili dikur ishte i mbuluar me tjegulla tradicionale, nuk shihet më. Aty kanë mbetur vetëm drunjtë që shpërfaqin vjetërsinë dhe veçantinë e objektit. Struktura nuk ka humbur, vërehet stili osman i ndërtimit mbi themelin me gurë.

Kjo është shtëpia e familjes Koroglu, e cila besohet të jetë ndërtuar në pjesën e parë të shekullit XIX.

Shtëpia konsiderohet prej më të vjetrave në jug të Mitrovicës dhe karakterizohet si tip i çardakut të mbyllur. Ajo nuk ka pësuar shumë ndryshime gjatë historisë, veçse sot është e rrethuar me ndërtesa shumëkatëshe.

E ndërtuar 300 vjet më parë, shtëpia ndodhet jo larg nga qendra e vjetër e qytetit dhe ende e ruan karakterin e destinuar për banim, edhe pse nuk shfrytëzohet si e tillë tash e një kohë.

Objekti, i cili është pjesë e listës së trashëgimisë kulturore për mbrojte të përkohshme në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës (MKRS), u përfshi nga zjarri mbrëmjen e 31 tetorit - deri tani në rrethana të panjohura.

Adnan Koroglu thotë se ka emocione të forta për këtë shtëpi, në të cilën ka lindur.

“Atë natë [kur është djegur] nuk kam qenë në shtëpi, askush nuk ka qenë, kemi qenë të familjarët. Më kanë thënë ‘eja se po digjet shtëpia e vjetër’, kemi vrapuar me shoqen. Djali më ka lajmëruar, ai ka qenë në dyqan duke punuar, dikush e ka njoftuar atë. Kur kam ardhur, kam parë zjarr në të gjitha anët”, rrëfen për Radion Evropa e Lirë Adnan Koroglu, njëri prej pronarëve të shtëpisë.Pas ngjarjes së 31 tetorit, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku, ka thënë se “barbarë janë ata që e djegin kulturën dhe historinë e tyre”.

“Pas një rezistence të madhe nga familja dhe një tentim rrënimi së fundmi, dje [31 teto] patën filluar ndërhyrjet për shpëtimin e shtëpisë së familjes Koroglu në Mitrovicë. Pasi e kuptuan që nuk zmbrapsemi nga detyrimi ynë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, qyqarët, në mënyrë tinëzare, pasi ra terri, ia vunë flakën shtëpisë së shekullit XIX”, ka shkruar Çeku në Facebook më 1 nëntor.

Ai ka thënë se pret “kapjen dhe ndëshkimin e kriminelëve” dhe se “prokuroritë dhe gjykatat tona kanë rol qendror në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”.

Pasi shtëpia u përfshi nga zjarri, policia e Kosovës tha se aty ka gjetur “30 bidonë të mbushur, të shenjëzuar me shenjën me materie të rrezikshme ndezëse”.

Sipas policisë, hetimet fillestare kanë treguar se pronari i shtëpisë, Adnan Koroglu, ishte në dijeni për vendndodhjen e këtyre bidonëve dhe “përkundër zjarrit të shkaktuar, nuk e kishte njoftuar policinë apo zjarrfikësit”.

Kjo solli arrestimin e pronarit të shtëpisë, i cili u ngarkua me veprën penale “mbajtje e paligjshme e substancave dhe mbeturinave të rrezikshme”.Adnan Koroglu u lirua pas 48 orësh dhe thotë se nuk e di shkaktarin e zjarrit.

“Si mund të ndjehet njeriu kur pafajshëm mbahet 48 orë në burg? Ka pasur një antifriz brenda. Me kohë kam treguar për këtë, ai antifriz është që 15 vjet aty. Asnjëherë nuk ka pasur rrezik nga kjo”, thotë Koroglu.

Avokati i Koroglut, Bajram Halimi, tha se klienti i tij është liruar me procedurë të rregullt dhe se është “i gatshëm për bashkëpunim me organet e drejtësisë për çdo kërkesë eventuale të tyre”.

Shtëpia me arkitekturë osmane në katin e parë ka dhoma korridori, kuzhinë dhe një banjë të ndërtuar më vonë. Ndërsa sipër ka një dhomë të madhe dhe pranë saj janë katër të tjera, një korridor dhe një ballkon.

Brenda tani është rrëmujë dhe nuk shihen askund orenditë që dikur ishin të mbështetura për mur.
E rrëzuar ka mbetur një fotografi, e cila ta lë përshtypjen se u takon kryefamiljarëve.Ekipi i Radios Evropa e Lirë e ka vizituar të martën objektin e vjetër në Mitrovicë, për të cilin ka filluar vendosja e masave mbrojtëse që, sipas MKRS-së, “sigurojnë mbrojtjen nga degradimi i mëtejmë i ndërtesës”.

“Paralelisht është duke u hartuar raporti i vlerësimit të hollësishëm të dëmtimeve të shkaktuara nga zjarri dhe hartimi i projektit të restaurimit. Ministria e Kulturës i dënon të gjitha rastet e tilla dhe, padyshim, shprehim shqetësim të thellë për dëmtim të trashëgimisë kulturore. Por, ne nuk zmbrapsemi nga detyrimi ynë për mbrojtje të trashëgimisë. Do të vazhdojmë me restaurime dhe funksionalizim të aseteve në të gjithë vendin”, thuhet në një deklaratë me shkrim të MKRS-së dërguar Radios Evropa e Lirë.

Pse po ndodhin dëmtimet?

Deri tani janë të regjistruara tri raste të përpjekjeve për ta dëmtuar shtëpinë në Mitrovicë të Jugut, e cila gjithashtu ka pësuar nga moti me shi.

Sipas Fondit Kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Kosovo), problemet do të evitoheshin me hartimin e planit të konservimit dhe me mbajtjen nën kontroll të ndërtimeve që ndodhin, në veçanti në zonat historike.Sali Shoshi, nga CHwB Kosovo, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemi qëndron në faktin se mbrojtja e trashëgimisë kulturore ose shpallja e tyre monumente, “nuk është treguar efektive, për shkak se nuk merret parasysh i gjithë konteksti ku ato ndërtesa janë ndërtuar”.

“Në një situatë të menaxhimit do të ishte dashur që MKRS-ja dhe komunat t’i hartojnë planet e konservimit, ku caktohen rregullat, kushtet, limitet në ato zona... Edhe nëse në rastin më të keq rrënohet ose digjet një ndërtesë, ajo pronë nuk mund të zhvillohet më shumë sesa ndërtesa që ka qenë... Dhe, rrjedhimisht, do të ishte masë parandaluese për ato që po i shohim gjatë këtyre viteve”, thotë Shoshi pa specifikuar më shumë.

“Do të duhej të kishte përkujdesje ndaj kontekstit të gjerë dhe jo vetëm ndaj ndërtesave individuale, në këtë rast këtyre monumenteve që janë djegur”, shton ai.Sipas Lulzim Hotit nga organizata “7 arte”, duhet të ketë ngritje të vetëdijes dhe forcim të ligjit.

“Familjet, nganjëherë, duke parë se çfarë ka ndodhur në rastet e mëparshme, mund të jenë stimuluar që t’i shohin këto si potenciale për negocim ose përfitim familjar, duke llogaritur se janë shkelur ligjet disa vite më parë dhe janë krijuar precedentë që të stimulojnë të mendosh ndryshe”.

“Duhet t’u sqarohet, qoftë familjarëve që janë pronarë të këtyre shtëpive ose pronave në mbrojtje, apo edhe kompanive ndërtimore, që ligji nuk lejon tjetërsimin ose ndërrimin e një hapësire të tillë për nevoja të caktuara apo interesa që mund t’i kenë palët”, thotë Hoti për Radion Evropa e Lirë.

Tri objekte të djegura brenda një viti

Trashëgimia kulturore në Kosovë mbrohet me ligj dhe dëmtimi është i dënueshëm me Kodin Penal.

Shtëpia e familjes Koroglu është objekti i tretë i trashëgimisë kulturore i djegur vetëm gjatë këtij viti.

Në muajin mars, nga zjarri është përfshirë objekti i Shkollës së Parë Shqipe në Ferizaj, ndërsa në gusht është djegur Muzeu i Muzikës në Gjakovë.

Shkolla e parë shqipe, apo siç njihet gjimnazi i vjetër “Ismail Qemali” në Ferizaj, tashmë është restauruar. Monumenti pritet të funksionalizohet si hapësirë kulturore e qytetit.MKRS-ja ka njoftuar se kanë filluar punimet edhe në monumentin e Taphanës - Muzeun e Muzikës në Gjakovë - i cili është përfshirë nga zjarri muaj më parë.

Fillimisht parashihen punime në masa të sigurisë, për të vazhduar pastaj me projektin e restaurimit që synohet ta kthejë objektin në gjendjen e mëparshme.

Trashëgimia kulturore në rrezik

Kosova numëron më shume se 1.500 asete që konsiderohen të rëndësishme për trashëgiminë kulturore.
Në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme ka kryesisht asete arkitekturore dhe arkeologjike.

Dhjetëra objekte, të cilat përfaqësojnë vlera të rëndësishme, janë përballur me vështirësi si dhe rrezik për shkatërrim.

“Kjo [dëmtimi i objekteve] është shndërruar në dukuri. Ne kemi parë shkatërrime gjatë këtyre viteve në shumë qytete të Kosovës dhe kryesisht nëpër pjesë urbane, ku vlera e patundshmërisë, vlera e tokës është shumë e lartë, dhe ku ka interes prej industrisë së ndërtimit për këto ndërtesat e banimit dhe çdo gjë tjetër”, thotë Shoshi nga CHwB Kosovo.

“MKRS dhe organet përgjegjëse nuk është se kanë marrë masa paraprake për parandalim të tyre, por as organet e drejtësisë nuk është se e kanë kryer punën e vet në identifikimin dhe dënimin e autorëve”, shton ai.Policia e Kosovës, ndërkaq, nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it në lidhje me hetimin e rasteve të djegies së tri objekteve të trashëgimisë kulturore sivjet.

Kosova ka në mbrojtje të përhershme edhe disa objekte të trashëgimisë kulturore, në mesin e tyre: Manastiri i Deçanit, ai i Graçanicës, Patriarkana e Pejës, Kalaja e Prizrenit e Xhamia e Sinan Pashës.Pavarësisht përpjekjeve, shteti vazhdon te mbetët jashtë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulture - UNESCO.