Prokuroria në Serbi thotë se po mbledh prova kundër Milan Radoiçiqit

Prokuroria në Serbi thotë se po mbledh prova kundër Milan Radoiçiqit

Aktuale November 11, 2023 - 20:58

Hetimi kundër Milan Radoiçiqit, i cili dyshohet se me disa persona të panjohur, ka kryer vepra penale të prodhimit, mbajtjes dhe trafikimit të paligjshëm të armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse dhe krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme është duke vazhduar.

Sipas medias N1, që është jashtë ndikimit të Vuçiqit, në lidhje me rastin Prokuroria e Lartë Publike në Serbi (VJT) kanë thënë se janë duke u mbledhur prova dhe dëshmi.

Radoiçiqi e ka pranuar se ka marrë pjesë në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Siç njoftoi në atë kohë VJT, në seancën e 3 tetorit, ai mohoi kryerjen e veprave penale që i ngarkoheshin dhe pas seancës prokuroria i propozoi gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd që të të dyshuarin ta lë në paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes .

Më 4 tetor, gjyqtari për procedurën paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd refuzoi propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për të caktuar masën e paraburgimit, por atij i ishte caktuar masa që i ndalonte të largohej nga territori i Serbisë pa lejen e gjykatës i është ndaluar të hyjë në territorin Kosovës dhe është urdhëruar të paraqitet në stacionin policor kompetent në datat 1 dhe 15 të çdo muaji.

Po ashtu, Radoiçiqit i është konfiskuar përkohësisht dokumenti i udhëtimit, përkatësisht pasaporta e Serbisë, dhe është paralajmëruar se mund të ndalohet nëse i shkel masat dhe obligimet e shqiptuara.

Në urdhrin për kryerjen e hetimeve janë përfshirë disa persona, tani për tani, të panjohur, të cilët akuzohen për veprën penale të veprave të rënda kundër Sigurisë së Përgjithshme. Autoritetet kosovarë kërkojnë që Radoiçiq të ekstradohet në Kosovë ndërsa akuzojnë Serbinë se e ka lënë të lirë atë. Uashingtoni dhe Brukseli i kanë bërë thirrje Serbisë që të bashkëpunojë në procesin e hetimeve. /express