Reagon AGK-ja: Kërcënohen me vrasje dy gazetarë në Viti

Reagon AGK-ja: Kërcënohen me vrasje dy gazetarë në Viti

Aktuale November 11, 2023 - 16:54

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) përmes njoftimit ka bërë të ditur se janë kërcënuar me vrasje dy gazetarë në Viti.

Bëhet fjalë për gazetarët e medias lokale, "Plus TV", Fatos Hetemi dhe Irfan Maliqi.

Redaksia e "Plus TV" e ka njoftuar AGK-në se mesazhet kërcënuese me vrasje i kanë pranuar nga një llogari në rrjetin social Facebook, pas shkrimeve të fundit të kësaj medie lidhur me dy xhamitë në Komunën e Vitisë.

“Mesazhet kërcënuese me vrasje janë në drejtim drejtorit Fatos Hetemi dhe gazetarit Irfan Maliqi nga PlusTV…Këto kërcënime ndërlidhen me serinë e raportimeve të televizionit Plus lidhur me problemet e shqetësimet që kanë të bëjnë me xhamitë në Skifteraj dhe Ramnishtë, në këtë komunë, pasi Bashkësia Islame e Vitisë, në kuadër të BIK-ut, thotë se dy xhamitë, njëra në fshatin Skifteraj dhe tjetra në Ramnishtë, janë jashtë kontrollit dhe menaxhimit të BIK-ut dhe se frekuentohen nga njerëz të dyshimtë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e redaksisë.

"Plus TV" ka deklaruar se për kërcënimet e kanë njoftuar Policinë e Kosovës në Rajonin e Gjilanit.

“AGK-ja, e vlerëson shumë serioz dhe të rrezikshëm kërcënimin dhe e dënon në termat më të fortë.
AGK-ja, e fton Policinë e Kosovës të kujdeset për sigurinë e gazetarëve dhe stafit tjetër të televizionit dhe të punojë intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e personit përgjegjës për kërcënimin”, thuhet në reagimin për media.