Trafiku urban, një flotë me probleme

Trafiku urban, një flotë me probleme

Aktuale November 10, 2023 - 22:31

Emisioni “Udhëve” ka hulumtuar rreth funksionimit të trafikut urban, posaçërisht pas ndryshimit të linjave në kryeqytet. Tarifimi i biletave online, si një nga metodat e avancuara në kuadër të një reforme që po pretendon ta realizojë Komuna e  Prishtinës mbetet një nga sfidat, sikurse edhe vendosja e mbulojave me ulëse ku do të kishte edhe tabela me informacione të qarkullimit të autobusëve.

Është ka testuar funksionimin e blerjes së biletës përmes SMS në Trafikun Urban në Prishtinë. Më datën 18 tetor në ora 15.49 është bërë blerja e biletës online. Mirëpo kthimi i SMS-it për konfirmim të blerjes së biletës ka ardhur në telefon në ora 18.03 minuta, gati tri orë pas përfundimit të shërbimit.

Po ashtu, më datën 04 tetor, ekipi i Udhëve ka blerë biletën ditore online në ora 15.01, mirëpo nuk ka pasur mundësi që ta shfrytëzojë për më shumë se gjysë ore pritje autobusin e linjës numër 1, pasi dy herë radhazi autobusët në stacionin në lagjen Dardania që shkonin në drejtim të Fushë Kosovës, ishin të mbushur me udhëtarë.

Digjitalizimi është vetëm një sfidë, në kohën kur ndryshimet e linjave në Prishtinë nuk janë përcjellë me infrastrukturën e nevojshme.

Sa herë që ka të reshura në kryeqytet, grumbuj qytetarësh që udhëtojnë me transport publik detyrohen që të presin autobusët urbanë në pikë të shiut.

Kjo, pasi me ndryshimet që po iu bëhen linjave të autobusëve dhe riorganizimin e lëvizjeve në kryeqytet, sipas një plani të mobilitetit të miratuar më 2019,  janë ndryshuar linjat e autobusëve dhe qarkullimi në kryeqytet, mirëpo ndryshimet nuk janë përcjellë me infrastrukturën e nevojshme.

“Kisha dashtë me pasë edhe na mbrojtjen, ku po presim autobusin, kjo lagja është e qetë dhe nuk po e marrin parasysh”, thotë Naile Iljaz, një qytetare nga Prishtina.

Kujtim Bërbatovci është menaxher i transportit në Trafikun Urban. Ai thotë se shumë shpejt do të vendosen pritoret me mbuloja në mbrojtjen e qytetarëve nga reshjet, derisa detyrohen të presin autobusët.

Komuna e Prishtinës po synon të realizojë një reformë në transportin publik, e cila sipas menaxherit të projekteve në këtë komunë Gent Sejdiut e ka zanafillën qysh në planin e mobilitetit, të miratuar në vitin 2019 e që sipas Sejdiut synon organizimin e lëvizjeve në kryeqytet. Në zbatimin e këtij plani, vet Sejdiu thotë se është punuar shumë pak.