Osmani merr pjesë në varrimin e ish-presidentit të Finlandës, Martti Ahtisaari

Osmani merr pjesë në varrimin e ish-presidentit të Finlandës, Martti Ahtisaari

Aktuale November 10, 2023 - 15:41

Me ftesë të Qeverisë finlandeze, presidentja Vjosa Osmani së bashku me ish-presidentin Fatmir Sejdiu morën pjesë sot në varrimin e ish-presidentit të Finlandës, Martti Ahstisaari.

Në funeralin shtetëror të mbajtur në Helsinki ishin prezentë më shumë se 800 të ftuar, krerë e përfaqësues të shteteve, si dhe bashkëpunëtorë nga etapa të ndryshme të karrierës së ish-presidentit Ahtisaari.

Duke nderuar kujtimin për ish-presidentin Ahtisaari, presidentja Osmani tha se: "Sot ia dhamë lamtumirën e fundit burrështetasit dhe paqebërësit Martti Ahtisaari. Përkushtimi i palodhshëm i presidentit Martti Ahtisaari ndaj diplomacisë, zgjidhjes së konflikteve dhe të drejtave të njeriut ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën tonë".

Tutje, ajo ka shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës si dhe për shërbimin e tij shembullor.

Mysafirët në varrimin e presidentit Ahtisaari janë ftuar nga Qeveria finlandeze në përputhje me dëshirat e familjes së presidentit Ahtisaari. Kontributi i presidentit Ahtisaari për paqe dhe zgjidhje të konflikteve në vende të ndryshme të botës u vlerësua edhe në vitin 2008, kur atij iu dha çmimi “Nobel për Paqe”. /Zëri

Image