Hovenier: Gratë janë thelbësore në suksesin e Policisë së Kosovës
Shoqata e grave e Policisë së Kosovës shënoi të mërkurën 10-vjetorin e themelimit të saj. Në shënim të kësaj dite, u ndanë edhe shpërblime. Kjo shoqatë është themeluar në nëntor të vitit 2013.
Shoqata e grave e Policisë së Kosovës shënoi 10 vjetorin e themelimit të saj. Në një dekadë të funksionimit të kësaj shoqate, u tha se roli i shoqatës është thelbësor në suksesin e misionit të policisë për ruajtjen dhe mbrojtjen e qytetarëve, si dhe për fuqizimin e rolit dhe pozitës së gruas.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka thënë se Qeveria duhet të bëjë përpjekje për të rritur numrin e grave në Policinë e Kosovës. Në 10-vjetorin e themelimit të shoqatës së Grave të Policisë së Kosovës, Hovenieri ka thënë se beson që gratë janë thelbësore për suksesin e misionit të PK-së, për të mbrojtur dhe për t’i shërbyer qytetarëve të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur këtë organizatë, SHGPK, që nga fillimi i saj, sepse ne besojmë se gratë janë thelbësore për suksesin e misionit të Policisë së Kosovës për të mbrojtur dhe për t'u shërbyer të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe për t'u përballur me krimin transnacional, drogën ilegale, dhe jostabilitetin. Shtetet e Bashkuara e kanë bërë prioritet ndihmën ndaj sektorëve të drejtësisë penale të Kosovës, përfshirë policinë. Pra, autoritetet mund të mbrojnë në mënyrë efektive sundimin e ligjit dhe të ofrojnë drejtësi. Ne besojmë se përfshirja e grave në këtë përpjekje, dhe sigurimi i pjesëmarrjes së tyre kuptimplotë si praktikues të drejtësisë penale është e domosdoshme, është thelbësore”, ka thënë Hovenieri.
Përfaqësuesi i OSBE-së në Kosovë, Edward Anderson i përgëzoi gratë police për punën e tyre, derisa tha se shkaku i sigurisë që ofrojnë ato, qytetarët mund të flenë dhe të ecin të qetë. Ai shtoi se do të vazhdojnë me mbështetje ndaj Policisë së Kosovës.
E drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha vlerësoi lartë punën e grave police, derisa shtoi se ato janë shembull i vendeve në rajon sa i përket rezultateve të arritura. Hoxha potencoi se mburren me punën e policeve të Kosovës, derisa përmendi edhe sfidat e vazhdueshme që kanë pasur.
“Ju keni bërë shumë si brenda policisë, po ashtu edhe jashtë saj. Po, ashtu jeni shëmbëlltyrë dhe shembull edhe në rajon, keni dhënë një nga prijetarët e formimit të punës së angazhimit të rezultateve në këtë aspekt. ajo çfarë mund të them, unë po ashtu ne mburremi me rezultatet që i kemi pasur nga femrat police që i kemi pasur në policinë e Kosovës. Femra në polici është një vlerë ë shtuar, përveç që është vlerë e shtuar duhet të merr edhe hakun e saj", ka theksuar Hoxha.
Në shënim të kësaj dite, u ndanë edhe shpërblime. Shoqata e grave e policisë së Kosovës, është themeluar në nëntor të vitit 2013.