Prokurorja tërhiqet nga ndjekja penale, refuzohet aktakuza ndaj Ramë Manajt
Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar aktakuzën ndaj Ramë Manajt, i akuzuar se nuk kishte deklaruar saktë pasurinë në cilësi të këshilltarit politik në Zyrën e Kryeministrit.
Pasi prokurorja e Shtetit Elza Bajrami është tërhequr nga ndjekja penale ndaj Manajt, gjykatësja e rastit Anita Krasniqi-Prenaj ka refuzuar aktakuzën ndaj tij.
Prokurorja Bajrami ka deklaruar se pas analizimit të të gjitha provave, pas dëgjimit të dëshmitarëve të propozuar nga ana e të akuzuarit, pas administrimit të provave materiale dhe mbrojtjes së të pandehurit, Prokuroria ka ardhur në përfundim që në këtë rast duhet të tërhiqet nga ndjekja penale për shkak se nuk është arritur të vërtetohet dashja e të akuzuarit.
“Duke qenë se vepra penale nga paragrafi 2, d.m.th. Neni 430, par. 2, kryhet në çdo rast kur ekziston qëllimi i të akuzuarit për të kryer këtë vepër penale, pra për të mos raportuar pasurinë në këtë rast ne nuk kemi arritur të vërtetojmë një qëllim të tillë për shkak se pasuria është përfituar në mënyrë të ligjshme”, tha prokurorja Bajrami.
Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Manaj, avokati Haxhi Dërguti ka falënderuar për profesionalizëm gjykatësen dhe prokuroren për përpjekjet e tyre për ta vërtetuar gjendjen faktike.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Ramë Manaj ngarkohet se në cilësinë e këshilltarit politik në Zyrën e Kryeministrit nuk e ka deklaruar saktë pasurinë në Agjencinë kundër Korrupsionit. Ai ngarkohet se nuk ka deklaruar pjesën 1/8 që i ka takuar nga pasuria e paluajtshme, pronë private me sipërfaqe 1221 m2 në bashkëposedim.
Ramë Manaj ishte emëruar në vitin 2020 këshilltar politik në kabinetin e Avdullah Hotit. Më herët kishte mbajtur pozitën e drejtorit të Arkivit të Kosovës, derisa në vitin 2008 ishte emëruar zëvendëskryeministër në qeverinë PDK - LDK. /BetimipërDrejtësi