Elshani: S’mund të përjashtojmë asnjë mundësi të një sulmi të mundshëm në veri

Elshani: S’mund të përjashtojmë asnjë mundësi të një sulmi të mundshëm në veri

Aktuale October 25, 2023 - 08:44

Situata aktuale në veri të Kosovës është e qetë, por e brishtë dhe delikate.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun e Mitrovicës, Veton Elshani.

Sipas tij, duke marrë parasysh situatën delikate në të cilën ndodhen, policia nuk mund të përjashtojë asnjë mundësi në veri për ndonjë sulm të mundshëm.

Por, siç u shpreh ai, Policia e Kosovës është e gatshme për çdo rast që mund të ndodhë.

“Situata në veri të vendit është e qetë për momentin, por e brishtë dhe delikate. Por, duke marrë parasysh situatën delikate në të cilën ndodhemi, nuk mund të përjashtojmë asnjë mundësi në veri të ndonjë sulmi të mundshëm. Policia e Kosovës është e gatshme për çdo rast që mund të ndodhë”, ka thënë Elshani.

Si po ashtu theksoi se rasti i Banjskës (24 shtatorit) është i rëndë, i cili vazhdon të hetohet.

“Rasti i Banjskës është rast i rëndë, i cili vazhdon të hetohet dhe kudo që na dërgojnë hetimet ne shkojmë”, tha Elshani.

Ndryshe, më 24 shtator një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit – komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe. Si pasojë e sulmit, mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Në kundërpërgjigje të sulmit terrorist, policia vrau tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin terrorist e ka marrë Millan Radoiçiq, i cili pas sulmit dha dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe, parti kjo e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.