“Lista Serbe s’i përfaqëson serbët e Kosovës, kërkesa për zgjedhje shenjë se ata janë të dëshpëruar”
Lista Serbe ka filluar t’i kërkojë zgjedhjet e reja për të rifituar pozitat që i kishte para se t’i avullonte me vendimin për t’u larguar nga institucionet e Kosovës, por politikanët serbë të Kosovës që janë në opozitë me këtë parti (më e madhja e serbëve të Kosovës) thonë se tashmë kjo listë ka humbur legjitimitetin tek populli që mëton t’i përfaqësojë.
Një ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërkoi nga serbët të futen në proces të ri zgjedhor në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – Lista Serbe u ka bërë thirrje autoriteteve kompetente kosovare që sa më parë të shpallin zgjedhjet në Veri të Kosovës, me mesazhin se janë të gatshëm të marrin pjesë në to.
Dikur vetë ministër i Qeverisë së Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, si një nga zërat më opozitar mes serbëve në Kosovë, kritikon Listën Serbe për qasjen, e cila, sipas tij, operon edhe përtej urdhrave të adashit të tij, Aleksandar Vuçiq.
“Deklarimi i Listës Serbe se është gati për zgjedhje është shenjë se janë të dëshpëruar dhe se nuk kanë agjendë dhe qëllim të qartë politik. Lufta e tyre politike ka për qëllim ekskluzivisht fitimin e pozitave dhe shfrytëzimin e mjeteve buxhetore të Kosovës pa kontroll dhe përgjegjësi”, tha ai për AP.
“Nuk jam i sigurt se e kanë dëgjuar presidentin Vuçiq në çdo gjë dhe jam i sigurt se disa vendime i kanë marrë në mënyrë të pavarur pa Vuçiqin. Meqenëse disa nga ato vendime i shkaktuan drejtpërdrejt Beogradit dhe qeverisë së Serbisë dëme në politikën ndaj Kosovës”, shtoi.
Kjo parti, që dirigjohet nga Beogradi, kishte dhënë dorëheqje nga të gjitha institucionet e Kosovës më 5 nëntor të vitit të kaluar, kjo si shenjë proteste ndaj vendimit të autoriteteve kosovare për të larguar nga qarkullimi targat ilegale serbe.
Pas këtij akti, ata kishin thënë se serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës të tërheq vendimin për targat dhe fillon zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si dhe tërheqjen e njësive policore nga Veriu.
Më 23 prill ata i bojkotuan zgjedhjet, çka beri që të zgjidhen kryetarët shqiptarë në ato komuna të banuar me shumicë serbe. Mirëpo, tani këto kërkesa kanë mbetur në letër. Ata janë të gatshëm që të marrin pjesë në zgjedhje të reja.
“Janë ekskluzivisht lëvizje që Lista Serbe i kërkoi dhe i zbatoi dhe jam i sigurt se fjalën e fundit këtu nuk e ka pasur presidenti i Serbisë, Vuçiqi, por është marrë parasysh qëndrimi i Listës Serbe, i cili katastrofikisht ishte i gabuar”, vlerëson Jabllanoviqi.
Ndryshe nga Jabllanoviç mendon Rada Trajkoviq – këshilltare e Ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Në një prononcim për AP, Trajkoviqi thekson Lista Serbe nuk merr vendime vetë, “ajo i realizon kërkesat e Vuçiqit”.
“Vuçiqi i plotëson kërkesat e [të Dërguarit Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel] Escobar, i cili kërkoi reduktimin e ushtrisë serbe rreth kufirit të Serbisë dhe Kosovës dhe pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Veriut në zgjedhje”, potencoi Trajkoviq.
Kërkesa dhe vendimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje të reja në katër komunat në Veri të Kosovës, vjen pak ditë pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri, tanimë heroi Afrim Bunjaku, ku kryetari de-fakto i kësaj partie, kryekrimineli Millan Radoiçiq, mori përsipër këtë sulm.
Kjo parti, përveçse nuk u distancua nga sulmi terrorist, shpalli ditë zie në nderim të terroristëve të vrarë.
Lidhur me këtë rast, Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Jabllanoviqi, nuk preferoi të jap ndonjë koment, pasi që potencon se rasti është në hetim, porse shton se është shqetësuese kjo çështje për Listën Serbe.
“Nuk mund t’ju jap asnjë koment pasi që vetë rasti është ende nën hetim dhe ende nuk ka deklarata të qarta nga KFOR-i dhe PK-ja, dhe kjo çështje është shqetësuese për Listën Serbe dhe disa adresa të tjera”, pohoi Jabllanoviqi.
Nga ana tjetër, Trajkoviqi thekson se Radoiçiqi e pranoi përgjegjësinë për 24 shtatorin, por se ka pyetje që nuk i është përgjigjur.
“Nuk u përgjigj se nga erdhën armët dhe cili ishte qëllimi i veprimeve të tij për transferimin e armëve apo pushtimin e Veriut. Kjo është arsyeja pse nevojitet një hetim ndërkombëtar sepse edhe gjyqësori serb dhe ai i Kosovës nuk kanë kapacitet për të kryer një proces profesional neutral”, potencon.
Por, si po e shohin serbët e Kosovës tërë këtë situatë?
Ish-ministri i Qeverisë së Kosovës, thotë se serbët u befasuan nga ngjarjet në Banjë, duke shtuar se që një vit “këtu po përjetojmë momente shumë të vështira dhe dramatike”.
“Për të cilat KFOR-i, Qeveria e Kosovës dhe Lista Serbe janë drejtpërdrejt përgjegjës. Paaftësia dhe mosgatishmëria e tyre për kompromis i vë të gjithë qytetarët në Veri në rrezik të drejtpërdrejtë të konfliktit të mundshëm”.
Jabllanoviqi shtoi se serbët e Veriut s’janë në gjendje të vendosin për fatin e tyre dhe në rrethana të tilla “jemi edhe jashtë rrjedhës së informacioneve të rëndësishme që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me ne dhe jetën tonë”.
“Ajo që duhet të na shqetësojë ne si popull është rritja e dukshme e nacionalizmit në palën serbe dhe shqiptare, që është pasojë e drejtpërdrejtë e disa veprimeve të gabuara si dhe mesazheve që shumica e politikanëve dërgojnë për të përfituar nga momenti dhe për të marrë simpatinë e qytetarët në mënyrën më të lehtë”, shtoi.
Ndërsa, Trajkoviqi potencon se serbët e Veriut s’i besojnë as qeverisë së Kosovës, por as asaj të Serbisë, mirëpo tek kjo e fundit situata është më komplekse.
“Por duke pasur parasysh se punëdhënësi i tyre është shteti serb dhe nëse marrëdhëniet në Veri ndërlikohen, ata e shohin Serbinë si të ardhmen e tyre, ata i manipulojnë”, theksoi.
Trajkoviqi tregoi për AP se në zgjedhjet e reja në veri do të marrë pjesë me një listë, derisa zbuloi edhe sloganin e saj.
“Sigurisht që duhet të ketë një listë që do t’u shpjegojë atyre se e ardhmja e tyre në Kosovë dhe bashkëpunimi me Prishtinën sigurisht që varet nga lidhjet e veçanta me Beogradin, që është premtimi i Escobarit si dhe kushti i [Emmanuel] Macron për liberalizimin e vizave. Kjo do të ishte fushata ime: ‘Për një Kosovë multietnike’”, potencoi ajo për AP.
Për organizimin e zgjedhjeve të reja në Veri të Kosovës, qeveria përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal që drejtohet nga Elbert Krasniqi, ka marrë vendim për nismën e shkarkimit të katër kryetarëve shqiptarë në komunat Veriore, përmes një peticioni.
Ky vendim vjen pas marrëveshjes së arritur në Bratislavë të Sllovakisë, në takimin në mes të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të dërguarit special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, për shtensionimin e situatës në veri, pas tensioneve të krijuara atje që nga 26 maji.
Mirëpo, ky proces ka mbetur në hije pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, ku një grup terroristësh më në krye kriminelin Milan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës. /express