Shkolla e mjekësisë në Mitrovicë ka mbetur pa profesor të matematikës

Shkolla e mjekësisë në Mitrovicë ka mbetur pa profesor të matematikës

Aktuale October 14, 2023 - 23:38

Ora e matematikës është kthyer në orë sporti për disa nxënës të Shkollës së Mesme të Mjekësisë "Xheladin Deda" në Mitrovicë.

Ka më shumë se një muaj, nxënësit e klasave të 10-ta në drejtimin e Fizioterapisë, nuk kanë mësuar asnjë njësi nga lënda e matematikës e teknologjisë.

Në mungesë të një profesori, këto orë ata i zëvendësojnë me lëndë të tjera, ose nuk i zëvendësojnë fare.

"Na nuk kemi mbajt matematikë as teknologji prej fillimit të vitit shkollor. Kur është koha për orën e matematikës ose teknologjisë e kemi të lirë, lëshohemi. Zakonisht na bjen të hënën me pasë mas pari matematikë pastaj ed.fizike, na zëvendëson i edukatës fizike, e matematikë nuk mbajmë hiç, lirohemi dy orë më herët se i kemi dy orë bllok", tha Yllka Gjosha, nxënëse.

Drejtoresha e shkollës thotë se mungesën e profesorëve e kanë adresuar në Drejtorinë e Arsimit qysh në fillim të vitit shkollor por procedurat e konkursit marrin kohë deri në tre muaj.

"Profesorët janë mundu me zëvendësu ndonjë orë por prapë nuk munden me mbërri se secili e ka normën e vet. Zakonisht zëvendësohet me lëndë tjera, që nxënësit mos me pasë hapësirë, mos me mbet rrugë. Kjo shkakton problem edhe në vlerësimin e nxënësve por me profesorin/profesoreshën që vjen kush pranohet, do bisedojmë që të mbajmë disa orë shtesë me nxënës që t;i kompensojmë orët e humbura", tha Dritë Qamili, drejtoreshë e shkollës "Xheladin Deda".

Nga drejtoria e Arsimit në Mitrovicë kanë konfirmuar se procedurat e konkursit janë në përfundim.

Drejtoresha e Arsimit në Mitrovicë, Drita Kadriu, i tha RTK-së përmes telefonit se ka përfunduar testi me shkrim dhe me gojë dhe se mësimi pritet të fillojë shumë shpejt.