“Zbulohet” se si u informua Policia e Kosovës për grupin terrorist në veri
Foto: Laura Hasani

“Zbulohet” se si u informua Policia e Kosovës për grupin terrorist në veri

Aktuale October 04, 2023 - 10:16

Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka folur për situatën në veri të vendit, pas sulmit që ndodhi më 24 shtator.

Maliqi ka shkruar se inteligjenca e NATO-s këtë grupin e veriut e ka përcjellë në çdo hap edhe në Serbi, me gjasë edhe i ka lejuar të hyjnë.

“Si ato operacionet kundër drogës që e ndjekin ‘mallin’ për me pa se ku po shkon dhe kush po përfshihet. Në fund ia kanë shërbyer Policisë së Kosovës informatën në kohë, për ta parandaluar çfarëdo suksesi të përpjekjes për të krijuar realitet të ri në terren dhe me pasoja katastrofike për Kosovën, ndërsa KFOR-i amerikan e ka menaxhuar gjithë situatën drejtpërdrejt me policinë”, shkroi Maliqi në një postim në Facebook.

Ai ka shtuar se përderisa në Kosovë askush nuk e kishte të qartë se çfarë po ndodhte, deklarata e ambasadorit amerikan Jeff Hovenier bëri të kuptojmë që dikush e kishte situatën nën mbikëqyrje të plotë.

“Ndërkohë që e gjithë Kosova nuk e kishte të qartë se çfarë po ndodhte, deklarata e qartë e Hovenieri në orët e para të mëngjesit se kjo ishte përpjekje për destabilizim rajonal të lë të kuptosh se dikush këtë situatë e kishte nën mbikëqyrje të plotë. Bëhet fjalë për shtetin naiv të cilit liderët tanë i mbanin ligjërata dhe me kontributin e të cilit sot krekosen. I presim ligjëratat e radhës për sovranitet dhe mbrojtje prej synimeve djallëzore të perëndimit”, shkroi Maliqi.

Si pasojë e sulmit terrorist të 24 shtatorit mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Gjatë përleshjeve me policinë janë vrarë edhe tre sulmues.

Policia e Kosovës ka gjetur sasi të konsiderueshme të armatimit në këtë zonë edhe më 30 shtator, përfshirë këtu: raketahedhës (zolla), armë të gjata dhe pajisje të tjera ushtarake, si jelekë antiplumb etj.

Përgjegjësinë për sulmet në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe.